Nën ujë prej 3 javësh, mbi 3500 hektarë sipërfaqe tokë të përmbytura në zonën e nën-Shkodrës, banorët në vështirësi
Reshjet e herëpashershme të shirave kanë krijuar një situatë alarmante në zonën e nën-Shkodrës, ku tanimë prej 3 javësh toka dhe shtëpi jane nën pushtetin e ujit. Sipërfaqja e përmbytur vijon e rritet, edhe për shkak të prurjeve që vijojne, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihmë në sigurimin e bazës ushqimore për gjënë e gjallë.
Nën-Shkodra vijon të përjetojë situatë dramatike nga përmbytjet që tanimë kanë hyrë në javë ne tretë.
Mbi 3500 hektarë sipërfaqe janë ende nën ujë, ndërsa reshjet e herëpashershme të shiut e rëndojnë më tej situatën.
Banorët e fshatit Tush thonë se janë të paktën 200 familje që janë të prekura nga përmbytjet, ndërsa problemet më të mëdha po i hasin në sigurimin e bazës ushqimore për gjënë e gjallë.
"Ishalla do Zoti nuk na futet nëpër shtëpia, të paktën Trushit. Dëmet në bujqësi janë në kulturën e jonxhës, grurit. Por me bagëtitë e imëta jemi duke vuajtur shumë".
"Kemi 40 dynym grurë të mbjellur dhe nuk do t'ja dijë kush".
E rënduar paraqitet situate edhe në lagjen Zadrime të Shirqit, ku uji shkon deri në 701 centimetër, dhe banorët janë tërësisht të izoluar.
Rritja e mundshme e nivelit, do të ishte fatale për këtë lagje.
"Sot jemi rënduar më keq, nuk e kemi punën mirë hiç".
"Banesat kanë mbaruar, janë në ujë".
Shumë fshatra në Anën e Malit dhe Dajçit, janë të izoluar. Aty, uji shkon deri në 1.5 metra.
Ndërsa zonat e ulëta po përballen me përmbytje, zonat Malore janë nën pushtetin e dëborës.
Boga, Vermoshi dhe Thethi mbeten të bllokuara. Energjia elektrike mungon ndërsa hapjen e rrugëve e vështirësojnë orteqet.