"Politika ndërhyn në punën e policisë", IDM: Drejtori i Përgjithshëm të emërohet nga Kuvendi

Ryshfeti në radhët e policisë është kthyer në një fenomen shqetësues, por në të njëjtin nivel mbetet edhe ndërhyrja e politikës në punën e efektivëve. Kreu i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i cili publikoi ditët e fundit një raport kritik për gjendjen e policisë, rekomandon që ndryshimi të nisë me emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga Kuvendi, dhe jo nga ministri i Brendshëm dhe kryeministri. Po kështu IDM kërkon edhe forcimin e rolin dhe strukturës së komisariateve, si dhe dhënien e një statusi të veçantë për efektivët.

Korrupsioni në radhët e policisë vijon të jetë problematik, ndërkohë që sektorët më problematikë në këtë drejtim janë policia rrugore dhe departamenti i kufirit.

Një tjetër shqetësim është edhe ndërhyrja e politikës në punën e strukturave të policisë.

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim pas këtyre konstatimeve rekomandon që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të emërohet dhe shkarkohet nga Kuvendi, dhe jo nga Kryeministri apo ministri i Brendshëm.

"Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të emërohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave me pëlqimin e një strukture përfaqësuese të Kuvendit. Kush mund të jetë kjo strukturë? Ndoshta Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kuvendit ose Kryesia e Kuvendit. Tre kandidaturat më të votuara. Kjo garanton që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të emërohet sipas kritereve por njëkohësisht edhe i konsultuar dhe i potencuar direkt nga Organizata e Policisë."

Sipas kreut të IDM, Sotiraq Hroni, korrupsioni në radhët e policisë, mund të luftohet duke forcuar rolin e komisariateve, efektivët e të cilëve kanë kontaktin e parë me qytetarët.

"Sugjeroj me të madhe forcimin e komisariatit të policisë nga pikëpamja njerëzore, financiare dhe të kompetencave".

Punonjësit e policisë do shmangin ryshfetin nëse do kishin një status të veçantë.

"Po aq i rëndësishëm është dhe miratimi me ligj i statusit të policisë, i statusit ekonomik të punonjësit të policisë. E rëndësishme është që grada të njësohet me statusin civil të administratës publike."

Ky është raporti i tretë që hartohet për korrupsionin në polici por ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë drejtuesit e policisë janë të ndërgjegjshëm për situatën dhe kanë pranuar gjetjet dhe rekomandimet për ndryshimet në radhët e efektivëve.