Aeroporti i Vlorës përfundon në SPAK
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës ka përfundur në SPAK në ditën e fundit të dorëzimit të ofertave. Një prej kompanive pjesëmarrëse në tender akuzon se Komisioni i Prokurimit Publik ka dhënë një vendim të paligjshëm dhe me qëllime klienteliste.
Në ditën që gara për aeroportin e Vlorës është mbyllur zyrtarisht, duke ia lënë vendin shqyrtimit të dosjeve, procedura ka përfunduar në dyert e SPAK.
Sipas dosjes së siguruar nga Ora News, kompania AL-DE Corporation Ltd ka paditur Ministrinë e Infrastukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë e Prokurimeve Publike.
Në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlorës paditësi thekson se Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë një vendim të paligjshëm duke favorizuar një kompani tjetër.
Sipas pretendimeve, KPP gjatë shqyrtimit të ankesës ka mbajtur dy qëndrime në lidhje me respektimin e afateve ligjore.
Në parim, thuhet në ankesë, Komisioni ka vlerësuar se afatet ligjore janë respektuar ndërkohë që gjatë analizës së një prej pikave thuhet se operatori ekonomik nuk e ka ezauruar ankimimin brenda afatit.
Një tjetër pretendim i ngritur është fakti se për këtë procedurë kërkesa për sqarim është bërë nga një kompani një vit pas hapjes së procedurës dhe jo 5 ditë para afatit të dorëzimit të ofertave.
Bazuar në këto veprime AL-DE Corporation e konsideron vendimin e komisionit si klientelist.
Përveç vendimeve të cituara, së fundmi është denoncuar se me qëllim favorizmin e një prej kompanive ka shërbyer edhe lehtësimi i kritereve të tenderit.