Lejuan gazetarët të pyesin 36 vjeçarin që përdhunoi gjyshen, pezullohen tre efektivët e Policisë
Drejtoria e Policisë së Fierit ka njoftuar se ka pezulluar nga detyra tre efektivët që kanë shoqëruar 36 vjeçarin që tronditi opinionin publik pas akuzave se kishte përdhunuar gjyshen.
Sipas njoftimit, efektivët në kundërshtim me standardet e punës kanë lejuar gazetarët të bisedojnë dhe ta pyesin të akuzuarin.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj punonjësve T. K., F. G. dhe G. Ç., për shkelje të rëndë.
Njoftimi i plotë më poshtë:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Gjatë paradites së sotme, Patrulla e Përgjithshme e Policisë së Komisariatit Lushnjë ka shoqëruar për masë sigurie në Gjykatë, shtetasin S. M., 36 vjeç, i cili dy ditë më parë dyshohet se ka dhunuar dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me gjyshen e tij.
Në përfundim të marrjes së masës së sigurisë, punonjësit e Policisë që ishin të planëzuar me shërbim për shoqërimin e 36-vjeçarit, në kundërshtim me procedurat standarde të punës, duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar qytetarë e gazetarë të bisedonin dhe ta pyesnin shtetasin e ndaluar brenda automjetit të Policisë.
Në lidhje me këtë shkelje, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve T. K., F. G. dhe G. Ç., për shkeljen e kryer.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj këtyre punonjësve, për shkelje të rëndë.
36-vjeçari, Saimir Meçani, i akuzuar se përdhunoi e rrahu gjyshen 89-vjeçare do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimit. Por pasi u njoh me masën e sigurisë, ai tha se e gjitha ishte një lojë që po i bënte babai për ti marrë pronat.
Lexo edhe: Me pranga në duar e fytyrë të mbuluar, 36-vjeçari i akuzuar për përdhunimin e gjyshes: Lojë e babait