Persona non grata në lista? Rama: Nuk ka nevojë të më kujtojë detyrën time asnjë ambasador

Kryeministri Edi Rama ka një kërkesë për ndërkombëtarët e interesuar për listat e kanidatëve në zgjedhjet  e 25 prillit në Shqipëri.

Në konferencën për median Rama bëri të qartë ambasadorëve se nuk duhet të ndërhyjnë pasi e di detyrën që ka edhe në këtë prag hartimi të listave të kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 25 prillit.

Pyetje: A do të ketë në lista persona që janë prekur më parë nga ligji i dekriminalizimit apo persona të shpallur non grata në listën e zezë të DASH?

Edi Rama: "E para, njëherë unë këtë ambasadorin britanik nuk e kuptoj fare pse është kaq i përfshirë në çështjen e zgjedhjeve në Shqipëri.

Kam shumë respekt për të dhe realisht është një person që meriton respekt, por nuk e kuptoj se pse është kaq i përfshirë në këto bisedat e brendshme të Shqipërisë kur vjen puna për zgjedhjet dhe po e them edhe publikisht këtë se ja kam thënë dhe personalisht.

Ndërkohë që për sa i përket pyetjes unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikane detyrën time, kam shumë respekt për ambasadoren amerikane.


Natyrisht ajo është në të drejtën e vet të thotë atë që mendon, unë e respektoj, por kjo përgjigje nuk është për të , është për ju.

Mos ma nxirni përpara ambasadoren amerikane, ka thënë kështu, ka thënë ashtu, po ti do bësh kështu. Unë nuk kam nevojë të ma kujtojë detyrën time asnjë ambasador në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të respektuar.

Nuk ka nevojë të ma kujtojë asnjë koordinator në Parlamentin Evropian, nuk ka nevojë të ma kujtojë askush. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe karshi popullit shqiptar.

Ligji është shumë i qartë: Kush ka bërë në të shkuarën një, dy, tre, pesë, shtatë s'po i numëroj, vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik.

Madje unë e kam shtruar në atë kohë, e kam nxitur që të shtrohet edhe në administratën publike, jo vetëm në politikë.

Ligji bazohet mbi vetë-deklarimin e individëve dhe mbi kontrollin e vërtetësisë së vetë-deklarimit.

Tani unë nuk kam shpresë që ju do ta mësoni, se nuk doni që ta mësoni sepse ju doni që të vazhdoni të bëni lajme me këto histori. Por, po ja u përsëris prapë se nuk di asnjë rrugë tjetër se çfarë mund të bëj unë apo Partia Socialiste apo partitë e tjera politike në raport me këtë dhe nuk e kuptoj dot akoma në vitin 2020, se jemi 2021 por po marr 2020, pra 30 vjet mbasi kemi zgjedhur një sistem të përgjegjësisë individuale përpara ligjit dhe të lirive të të drejtave të secilit t'i kërkohet partive politike dhe t'i kërkohet kryetarëve të partive politike të mbajnë përgjegjësi pse njëri apo tjetri del se ka gënjyer.

Unë nuk e kuptoj dot këtë. Çfarë duhet të bëj unë dhe çfarë duhet të bëjë cilado parti politike në Shqipëri. Si mundet një parti politike të penetrojë nëpër zgafellat e dokumenteve që bota i ka të mbyllura sepse nuk ka në Evropë një ligj si ky. Bota mbas 5 vjetësh të konsideron të larë, ke bërë ç'ke bërë bota thotë "Il fatto non esiste" meqë e kemi me Italinë kryesisht këtë problem.

"Il fatto non essiste" nuk ekziston sepse zgjedhja për të jetuar në demokraci është zgjedhja për të pasur të drejtën të gabosh pa u pushkatuar dhe për të pasur të drejtën të rehabilitohesh pasi ke kryer dënimin.

Kjo është zgjedhja që kemi bërë. Ne kemi bërë një ligj i cili e shkel këtë të drejtë me vetëdije të plotë të partive politike, me konsensus mes partive politike kjo e drejtë themelore është shkelur dhe kjo është arsyeja pse as Partia Socialiste, as Partia Demokratike dhe as cilado parti tjetër që ka votuar për këtë ligj nuk e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në planet që këtë ligj e konsideron konform të të drejtave të njeriut.

Nuk e kemi çuar sepse ky ka qenë kompromisi, që të jemi shumë të qartë sepse u bë këtu sikur jemi në malin Athos edhe bëjmë moral pa lidhje, edhe kërkojmë llogari në adresa të gabuara.

Partia Socialiste ka qenë e para parti, e kam thënë 1000 herë dhe po e përsëris që kur ka bërë listën e deputetëve, kur unë kam qenë kryetar i saj në zgjedhje më parë kemi kërkuar dëshminë e penalitetit të gjithëve.

Ky është dokumenti që ndan ligjërisht për secilin nga ju çfarë raporti ke me ligjin.

Dëshmia e penalitetit në Republikën e Shqipërisë mbas 5 vitesh që ti ke kryer një dënim është e bardhë. Me këtë ligj vetë-deklarimi vendos ti deklaron që je i pastër dhe ndërkohë në moshën tënde 11 vjeçare ti ke bërë një krim, apo 18 vjeçare apo ku di unë se çfarë.

Ai krim nuk është i lexueshëm nga unë dhe nga ti Aristir.

Shkoni ju bëni investigime , nuk ja u jep njeri. Janë në analët e policive krime të të kaluarës, të gjykuara, dënime të kryera kanë mbaruar.

Këtë proces nuk e bën dot partia politike, këtë proces e bëjnë institucione të tjera.

Kaq e thjeshtë është kjo. Në momentin kur del x apo y që ka gënjyer ikën nga puna, ikën nga detyra dhe shkon përballet me ligjin.

Kjo është mënyra se si ligji zgjidh këtë çështje dhe kjo është mënyra se si duhet ta mbyllim këtë temë një herë e mirë se është turp i madh që e bëmë këtë vend sikur këtu çdo gjë ka mbrapa një pisllëk. Domethënë e bëmë këtë vend, vendin ku në Itali bëhet një hetim dhe hetimi nxjerr që s'ka asnjë lidhje më Shqipërinë, veç një dyqani rrobash dhe me paturpësinë më të madhe partia që do të vijë në pushtet gjen një blerje 44 mijë lek (të vjetra ) në atë dyqan rrobash për kominoshe nga një institucion dhe thotë ja prova e lidhjes së Ramës me mafien.

44 mijë lekë kominoshe në një dyqan, kështu e bëmë ne këtë vend me kontributin tuaj, të të gjithëve ju dhe të të gjitha mediave që për like dhe për spektakël nuk i vunë një fre kësaj maskarade më Shqipërinë dhe të gjitha këto pastaj mblidhen dhe shkojnë të koordinatorët e Parlamentit Evropian që duan mish për top, që nuk i intereson fare ku bie Shqipëria me hallet, me problemet, me sfidat, me nevojat e saj po bëjnë politikë.

Bëjnë politikë për punët e tyre atje, bëjnë politikë të brendshme dhe ndihmojnë shokët e tyre këtu.


Ja kështu e bëmë ne. Tani çfarë po më kërkon mua? Ne do bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë, as më shumë dhe as më pak dhe këtë nuk ka nevojë mua të ma thotë as ambasadorja amerikane, as ambasadori anglez, as ambasadorja hollandeze, as ambasadori islandez.


Unë këtë e di sepse kjo është detyra jonë. Shumë e thjeshtë ! Absolutisht nuk ka qenë kurrë qëllimi jonë që të fusim nëpër lista njerëz që kanë pasur probleme me të shkuarën, por nuk kemi pasur informacion. Si mendoni ju ? Që në qoftë se do kishim informacion do i fusnim në listë që pastaj të dëgjonim daullet, si mendoni ? Duhet të jesh idiot që ta bësh këtë gjë. Tani unë nuk jam ndonjë i mençur i madh, ka më të mençur se unë, por deri këtu, jo. Kaq e thjeshtë është ! Dhe unë nuk di ç'domethënë ata që janë djegur përpara dhe unë nuk di të djegur edhe të pjekur. Unë di që ka ligj, ka dhe respekt për ligjin. Kush nuk e respekton ligjin duhet të paguajë, le të jetë kush të dojë.


Nuk janë përgjegjësia ime ata të cilët në një moment të caktuar abuzojnë me detyrën, abuzojnë me funksionin, abuzojnë më ligjin, abuzojnë me të tjerët.

Është përgjegjësi individuale, nuk ka përgjegjësi kolektive në këtë sistem që kemi zgjedhur. Partitë politike dhe familjet, organizatat, kompanitë dhe familja si familje natyrale nuk përgjigjen pse një anëtar i familjes iku në një drejtim ët gabuar, por mbanjë përgjegjësi për mënyrën si reagojnë. E marrin në mbrojtje, e strehojnë në kundërshtim me ligjin, e fshehin nga duart e ligjit apo i thonë ik tani shih punën tënde se ne nuk kemi punë ty. Kaq e thjeshtë ësht