Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja në SPAK/ PD: Ktheu lulishtet në kulla

Ndërtimi i disa kullave në lulishten pranë Bashkisë,  nëpërmjet një kontrate të Partneritetit Publik Privat, do ta përballë kryebashkiakun e Elbasanit  Gledjan Llatja, me prokurorinë special kundër krimit dhe korrupsionit. Padia është bërë nga Partia demorkatike e cila argumenton se Kryebashkiaku i Elbasanit ka  favorizuar kompaninë private, duke shkaktuar një dëm prej 8.3 milion euro.

Partia Demorkatike nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, ka kallëzuar në SPAK Kryetarin e Bashkisë Gledjan Llatja, me akuzën për “shpërdorim të detyrës”. Padia vjen për   kontratën e partneritetit publik privat që i mundëson një kompanie  private ndërtimin e Kullave në lulishten pranë Bashkisë së Elbasanit. Sipas Partisë Demokratike,  Kryetari i  Bashkisë Elbasan, ka  favorizuar kompaninë private, duke falur tokë publike.

 “Nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme, Kryetari i Bashkisë Elbasan, ka dëmtuar interesin publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik Bashkisë Elbasan, në të paktën 8.3 milion euro, duke konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës”

Në kallëzimin penal, thuhet konkretisht se  nga zbatimi i kontratës së partneritetit publik privat Bashkia po përfiton vetëm 2648 m2 sipërfaqe të re ndërtimi, ndërkohë që duhet të kishte përfituar 14 560 m2. Në këtë mënyrë, argumentohet se  institucioni i Bashkisë ka humbur një sipërfaqe prej 11, 912 m2, ose rreth 8.3 milion euro.