Rama përjashton një mbyllje të dytë, kritika të vetëve dhe Ermal Mamaqit për shkeljen e masave: Mori gjobën siç e meritoi

Muaji shkurt nisi me numër të lartë viktimash dhe të infektuarish nga koronavirusi, duke ruajtur kurbën rritëse të nisur dy javët e fundit të janarit.

Po Kryeministri ka përjashtuar mundësinë për një mbyllje të dytë, duke u shprehur se nëse do të ketë shtrëngim masash do të kemi shtrëngim të zbatimit të këtyre masave.

Rama kritikoi Ermal Mamaqin për aktivitetin në shkelje të masave duke u shprehur se nuk është ky shembulli që ai duhet të japë në këtë kohë për asnjë arsye, ndaj edhe mori gjobën siç e meritonte.

Ai u tërhoqi vëmendjen edhe zyrtarëve të PS që shkelin masat gjatë takimeve politike.

Rama: Nuk janë numra që nuk i prisnim për hir të vërtetës. Është një firzamonikë, hapesh dhe ekspozohesh më shumë. Mbyllesh dhe ekspozohesh më pak, por përkohësisht. Duke u mbyllur virusi nuk ikën por ekspozimi është më i vogël. Por nuk mund të rrimë mbyllur deri kur të ikë virusi. Strategjia është të ecim me kujdes duke u përpjekur që tu themi njerëzve që të bëjnë atë dreq detyre të zbatimit të masave të thjeshta. Dikush më tha pse e mban akoma maskën apo nuk beson te vaksina që bërë, apo ishte ujë fiziologjik siç thoshte një analist. Ujin fiziologjik kemi nevojë ta shkarkojmë nga kokat e disa analistë që e kanë një përmbajtje uji mbi normë. Ndërkohë unë kam bërë vaksinën dhe do tu jap evidencën e antitrupave dhe pastaj duhet të besoni ose që unë kam një përbërje prej kreshniku që kam antitrupa përtej normës, ose që vaksina ka funksionuar. Unë ju ftoj të besoni këtë të dytën.

Ndërkohë që fatkeqësisht ka në mënyrë të përsëritur shkelje të masave dhe të gjitha kanë koston e tyre. Do të kisha dëshirë të ishit të gjithë sot por kemi një numër të kufizuar. Kam shumë respekt për Ermal Mamaqin, e kam mik, por ai nuk mundet t'u japë këtë shembull shqiptarëve. Mori gjobën siç e meritonte. Pa llogaritur partitë politike, përfshirë edhe njerëz të PS nëpër qarqe të ndryshme apo takime të ndryshme që e harrojnë këtë fakt, kjo është dhe indiferencë, edhe shkujdesje. Janë të pafalshme. Nëse do të kemi shtrëngim masash do të kemi shtrëngim të zbatimit të këtyre masave.

I kuptoj shumë mirë studentët që duan të kthehen në auditore por nuk janë kthyer në vende të tjera. Po e shikon Komiteti me kërkesë të Ministres së Arsimit mundësinë për të pasur pak më shumë fleksibilitet prandaj u është kërkuar Universiteteve të bëjnë një arsyetim për ato provime, meqë interesi është për tu kthyer të paktën për provime, për ato provime që nuk mundet të bëhen online. I mirëkuptoj ata studentë që thonë për ne është kjo kur në kafe dhe restorante nuk respektohen masat. Jo, janë këta që shkelin masat, nuk janë masat që e kanë fajin.

Meqë këta i shkelin, do të thotë që i shkelin të gjithë. Ne duhet të zbatojmë këto masa që të jemi kontributorë në luftën me të keqen dhe jo përhaqës të së keqes. Shpresoj të mos vijë fare momenti për të diskutuar mbylljen por kjo është një luftë nervash që duhet ta zhvillojmë secili. Nëse secili bën detyrën e vet gjërat kalojnë më lehtë. Çfarë ndodhi në fund të vitit ishte e parashikuar që do të sillte rritjen e numrave. Shpresojmë të qëndrojmë në këtë lloj trendi që të stabilizohet sepse do të ishte pastaj e përballueshme sikur numrat të kërcejnë më tutje. Nuk ka ikur virusi, ndaj duhet të bëjmë kujdes.