Rama i prerë: Asnjë paragjykim për vaksinën kineze dhe ruse, por do të furnizohemi nga Perëndimi

Kryeministri, Edi Rama, mbetet i vendosur për të mos depërtuar në tregun e lindjes për sigurimin e vaksinave anti-Covid.

Rama deklaroi se nuk ka asnjë paragjykim shkencor as ndaj vaksinës kineze dhe as asaj ruse, porse ka zgjedhur që do të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë

Rama: Sa i përket vaksinave në anën lindore, ajo kineze dhe ruse, asnjë paragjykim të natyrës shkencore por respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë këtyre vaksinave por zgjedhja jonë është që do të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Është një zgjedhje e bërë prej nesh sepse këtu janë shumë komponentë bashkë.

Shefi i qeverisë bëri me dije se janë në negociata dhe me kompaninë AstraZeneca por nuk zbuloi se për sa doza vaksine bëhet fjalë.

Rama: Nuk mund të flasim për numra se nuk ka kuptim ndërkohë që jemi duke bërë një negociatë. Por është e sigurt që ne i kemi të gjithë arsyet të besojmë që kemi garantuar procesin tonë. Ne nuk po negociojmë vetëm me AstraZeneca por edhe me shtete të tjera. Është një luftë tregtare, por jepen dhe merren vaksina dhe jo para. Kuptohet ka brenda shumë politikë.