"Në qytetin e investimeve me pikatore"/ Kreu i LSI-Ramës: Propagandën tuaj nuk mund ta hanë pogradecarët!

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Pogradec, Gentian Çala reagon pas vizitës së sotme të kryeministrit Edi Rama në qytetin liqenor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çala shprehet se, Rama ishte sot në Pogradecin e investimeve me pikatore, në qytetin e braktisur që nga një destinacion i parapëlqyer dikur, ka ardhur drejt zvenitjes nga lënia në harresë.

"Turizmi në Pogradec po përpiqet të mbijetojë në kushtet e situatës ekonomike aktuale dhe mjafton të pyesni biznesin për gjendjen ku ata ndodhen. Kurse Kryeministri dhe ata që e shoqëronin flisnin për rritje kapacitetesh hoteliere. Papunësia ka detyruar të rinjtë e Pogradecit të marrin udhët e botës. Pogradeci në periferi, në zonat rurale madje shumë pranë tij ngjan me Kandaharin nga infrastruktura. Shumë prej fshatrave turistike nuk kanë ujë të pijshëm. E jo më të diskutojmë për turizëm", shkruan ndër të tjera kreu i LSI, Pogradec.

Reagim i plotë i Gentian Çalës:

Propagandën tuaj Kryeministër nuk mund ta hanë pogradecarët!

Sot Kryeministri Rama ishte në Pogradecin e investimeve me pikatore. Pogradeci do ti kujtojë këto 8 vite të qeverisjes së Rilindjes për braktisjen e qytetit turistik, ku destinacioni i parapëlqyer dikur, ka ardhur drejt zvenitjes nga lënia në harresë. Pogradecarët e dinë mirë se investimet në infrastrukturë të bëra pa standarte, marrin përditë jetë njerëzish në aksidente. Mjafton të shikoni rrugën Pogradec-Qafë Plloçë, pa trotuare për këmbësorë dhe pa ndriçim.

Turizmi në Pogradec po përpiqet të mbijetojë në kushtet e situatës ekonomike aktuale dhe mjafton të pyesni biznesin për gjendjen ku ata ndodhen. Kurse Kryeministri dhe ata që e shoqëronin flisnin për rritje kapacitetesh hoteliere. Papunësia ka detyruar të rinjtë e Pogradecit të marrin udhët e botës. Pogradeci në periferi, në zonat rurale madje shumë pranë tij ngjan me Kandaharin nga infrastruktura. Shumë prej fshatrave turistike nuk kanë ujë të pijshëm. E jo më të diskutojmë për turizëm.

Propagandën tuaj Kryeministër nuk mund ta hanë pogradecarët. Ekonomitë familjare e ndjejnë përditë vështirësinë, varfëria është shtuar dhe sfilata juaj e sotme nuk mundet tua heqë skamjen mijëra familjeve që nuk ndjejnë aspak përmirësimin e jetesës. Bashkia për të cilën ju flisni, në 15 vitet e fundit është drejtuar për 11 vite nga socialistët, ndaj mos e drejtoni gishtin e dështimit te të tjerët. Bëjeni bilancin pastaj flisni. Ndaj në 25 Prill vota e pogradecarëve do të jetë për ndryshimin e situatës, e cila fillon me pensionimin tuaj politik.
Sepse Pogradeci është shtëpia jonë
"

Kryeministri Edi Rama u ndal ditën e sotme në Pogradec ku ndoqi nga afër punimet përgjatë vijës liqenore deri në qytet.

Sipas tij, Pogradeci më projektet në proces do transformohet, ndërsa u shpreh se sipas tij ky transformim mund të kishte qenë më i shpejtë nëse do të ishte kryetar bashkie, kryetari që është sot.

Ndërsa ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi tha se investimi ka filluar edhe në blloqe brenda qytetit.

Pogradeci prej 3-4 vitesh ka pasur një fluks investimesh duke e kthyer në një pol shumë tërheqës”, u shpreh ai.