Bllokohen banorët në Lanabregas, u rrezikohen shtëpitë nga rrëshqitja: Emergjenca nuk përgjigjet, lëshojnë muzikë
Reshjet e shiut kanë bllokuar prej 6 ditësh rrugën “Alush Frakulla” në Lanabregas. E veç kësaj ka edhe shtëpi që po rrezikojnë shembjen për shkak të rrëshqitjes së dherave. Fadil Darsi është një prej banorëve që u është drejtuar institucioneve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Reshjet e shiut që ranë ditët t fundit kanë sjellë dhe rrëshqitje të tokës, duke rrezikuar disa banesa në rrugën "Alush Frakulla" në Shkozë.
Situatë e rënduar është në shtëpinë e Fadil Darsit, ku rrëshqitja rrezikon shembjen e banesës.
"Shtëpia ikën."
70-vjeçari thotë se ka njoftuar institucionet dhe se pasi konstatuan rastin nuk janë dukur më.
"Ka ardhur emergjenca, bashkia, e kanë parë dhe kanë thënë nëse hipën sipër na lajmëroni. Si kemi parë më."
Thotë se disa herë kanë telefonuar në numrin e emergjencës por nuk i është përgjigjur njeri.
"Ndoshta po kërcejnë ata, unë kam hallin e shtëpisë."
"E kam marrë 100 herë, vetëm dëgjohet muzikë."
Fadili kërkon nga shteti ta ndihmojë.
"Të na ndihmojnë, se bëjmë dot vetëm."
Si pasojë e rrëshqitjes së dheut rruga "Alush Frakulla" ka mbetur e bllokuar prej 6 ditësh.
Të shumta janë familjet që përdorin këtë aks, por në rast fatkeqësie apo urgjence nuk kanë se ku kalojnë.