Përgjimet e Antimafias, Caka: Paratë e krimit do të hidhen në fushatë elektorale

Pak orë pas pjesëmarrjes me temë  “Kostot e Demokracisë II, paratë në politikë dhe integriteti zgjedhor”, organizuar nga KRIK Albania, ish deputetja e LSI Silva Caka ishte e ftuar në Ora News ku ngriti edhe një here shqetësimin mbi përdorimin e parasë së pistë në fushatë elektorale.

Zyrtarja e LSI iu referua edhe raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2017-ës ku theksohej blerja dhe shitja e votës kundrejt parasë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe përgjimet e fundit të Antimafias italiane.

“Të mos harrojmë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kemi patur një raport zyrtar nga OSBE/ODIHR, i cili ka konkretizuar se mbi 20% e qytetarëve kanë pranuar se kanë shitur vullnetin e tyre elektoral kundrejt parave. Kanë votuar sipas porositësit të parave, sipas dëshirës dhe vullnetit të tij dhe një pjesë tjetër e intervistuar dhe e vëzhguar nga ky raport ka pranuar se ka shitur vullnetin në një formë tjetër duke mos shkuar për të votuar.

Kanë ndodhur disa fenomene të tjera gjatë zgjedhjeve të 2017-ës dhe unë dua ti rikujtoj disa. Përmendim këtu edhe çrregullimin e kursit të shkëmbit valutor në atë kohë. Sepse edhe rënia e nivelit të euros, zhvlerësimi i tij kundrejt lekut, ishte një tregues shumë i qartë që erdhi si pasojë e hedhjes së parasë së pistë në fushatën elektorale", tha Caka.

Ish-deputetja foli edhe për partinë që ajo përfaqëson, LSI, e cila, sipas Cakës ka vite që i bën transparente financat e saj.

"Si LSI kemi marrë angazhimin, përpara shumë vitesh, jo sot me thënë të drejtën, për të pasur një lloj transparence me financat tona, me burimin e të ardhurave, pasi në bashkëpunim me NDI hartuam një rezolutë që më pas  e kthyem në parime, në statutin e LSI ku e detyronim veten tonë që çdo aktivitet të pasqyrohej në faqen zyrtare të LSI duke treguar se çfarë kosto kishte pasur çdo zë i veçantë i aktivitetit dhe mënyra si ishin krijuar këto të ardhura, donacionet, dhuratat, kreditë që mund të marrë një parti politike", vijoi ish deputetja e LSI.

Më tej, Caka shprehu dhqetësimin esaj lidhur me përgjimet e antimafias italiane dhe ndikimit që mund të kenë në zgjedhjet e 25 Prillit përdorimi i parasë që vjen nga krimi i organizuar.

"Ajo që më shqetëson sot, në ditët e sotme, është që përveç parasë së pistë që qarkullon dhe sigurisht është e kuptueshme nga vjen, nga bota e krimit,  kemi faktim të të gjitha pretendimeve që kemi nxjerrë ndër vite edhe me përgjimet që ka nxjerrë së fundmi Antimafia italiane, janë para të pista që merren në formën e ryshfetit, përmes 20% a më shumë që kërkon kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama. Dhe ja kërkojnë një prej organizatave më famëkeqe në botë për të ndërtuar në Shqipëri dhe për të përfituar tendera dhe shërbime në mënyrë korruptive. Të gjitha këto para është e sigurtë që do të hidhen sërish në fushatë elektorale", u shpreh Caka.

Ku e bazoni këtë? Si do të hidhen përsëri?

Silva Caka: Po do të hidhen. Ka disa elementë. Kur flasim për shkelke të Kodit Zgjedhor nuk është vetëm hedhja e parasë së pistë në treg për të blerë vota. Kemi edhe përdorim ose shpërdorim të detyrave dhe kemi shpërdorim të aseteve publike vetëm për qëllime financiare. Kemi rastin e deputetit të Lushnjes, i cili së bashku me drejtorin e Kadastres u gjobitën me një shumë simbolike prej 15 mijë lekësh të vjetra ndërsa më pas u anullua nga KQZ".

Kujtojmë që, sot, u shty për herë të dytë, vendimi i Gjykatës së Dibrës për fatin e dosjes “184”, për shitblerjen e votës në zgjedhjet vendore të vitit 2016.

Shkak këtë herë u bë kërkesa e përfaqësuesit të Partisë Demokratike që kërkoi zëvendësimin e gjyqtarit Xhevdet Lika për njëanshmëri në proces, pasi gjykata nuk u vuri në dispocion aktet e dosjes.

Lexo edhe:

Dosja “184” shtyhet për në shkurt, përfaqësuesi i PD kërkon përjashtimin e gjyqtarit për njëanshmëri