Fshatrat e harruar në Dibër, banorët e indinjuar: Nuk do shkojmë të votojmë pa na plotësuar kushtet

Në këtë rrugë, banorët e 4 fshatrave në njësinë administrative në Luzni në Bashkinë e Dibrës kalojnë normalisht vetëm në 2 muajt e verës.

Mungesa e investimeve, ka bërë që të bëhet e pakalueshme ndërsa banorët e fshatrave Gurras, Lishan i poshtëm e i epërm, Mazhicë thonë se po detyrohen të largohen.

"Kjo rrugë është e pakalueshme, vetëm në dy muajt e verës mund të kalojmë pak me vështirësi po kalojmë, këtu nuk kalon tanku jo më makinat nëse shteti nuk na jep ve dorë jemi të detyruar të shpërngulemi që këtu" shprehet një nga banorët e zonës

Në mungesë të një institucioni arsimor, në fshat është hapur një shkollë private, me një mësuese e cila jep mësim për 4 klasa kolektive.

"Shkolla deri në klasë të katërt bëhet në klasë  kolektive 4 klasë me një mësues"

Të sëmurët detyrohen të transportohen me batanije, në këmbë.

"Para nja dy javësh  kemi pasur një të sëmurë e kemi marrë me batanije  jemi ngrit si fshat si lagje e kemi çuar deri te rruga kryesore" tha një banor

Ata thonë se kreu i Bashkisë së Dibrës, Dionis Imeraj as nuk i prêt në zyrë, ndaj kanë vendosur që të bojkotojnë zgjedhjet e 25 prillit.

"Ne i kemi kërkuar dhe Bashkisë por s'na ka pritur fare, ne jemi në mëshirë të fatit kemi vendosur mos shkojmë të votojmë  të na plotësohen kërkesat të na plotësohen kushtet" shprehen banorët

Janë më shumë se 100 familje në të katër fshatrat që presin sado pak ndihmë për ti përmirësuar jetesën e cila tashmë është bërë më e vështirë.