Atentati në Mamurras ende pa autor, disa të shoqëruar, hakmarrja pistë hetimi

Disa persona u shoqëruan dhe u morën në pyetje, por atentati ndaj 60- vjeçarit Myslym Lika, të enjten në Mamurras mbetet pa autor. Hakmarrja është pista kryesore e hetimit, pasi objektivi ka qenë i dënuar për vrasje, ndërsa i biri akuzohet si përfshirë në ekzekutimin e dy biznesmenëve dhe një plagosje.

Atentati ndaj 60-vjeçarit, Myslym Lika, në Mamurras mbetet pa autorë.

Disa persona u shoqëruan dhe u morën në pyetje nga policia por deri më tani nuk konfirmohet për asnjë person të ndaluar.

Hakmarrja është pista kryesore ku janë përqëndruar hetimet, por mbetet e paqartë nësë sulmi ishte direkt për 60-vjeçarin që ka qenë i dënuar për vrasje, apo të birin Ilir Lika Xhepaj.

Ky i fundit akuzohet si pjesë e grupit që ekzekutoi në muajin ,aj në Laç biznesmenët Paulin Gjergji e Bujar Lika dhe plagosjen e një 33-vjeçari disa ditë më herët.

Hetuesit ndërkohë kanë arritur të rindërtojnë dinamikën për sulmin ku Lika mbeti i plagosur rëndë.

Pamjet e kamerave të sigurisë në zonë kanë fiksuar një makinë te zezë me të cilën lëviznin autorët që nga ana tjetër dyshohet se e ndiqnin 60- vjeçarin që po kthehej nga ceremonia mortore e së motrës.

Ata e kanë sulmuar Myslym Likën kur ky i fundit po ecte në trotuar bashkë me dy familjarë, që shpëtuan pa lëndime. Në vendngjarje u gjetën tre gëzhoja.

60-vjeçari mori një goditje në kraharor e krah dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë nën vëzhgimin e mjekëve. Dëshmia e tij në orët në vijim, pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivet dhe njerëzit që tentuan ta ekzekutojnë.

LEXO EDHE

Atentat 60-vjeçarit në Kurbin, babai i të akuzuarit për vrasjen e Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës

Po kthehej nga varrimi i së motrës… Detaje të reja nga atentati i 60-vjeçarit në Mamurras