Vokshi nxjerr mesazhet: Në shkolla mungojnë mjetet elementare, prindërit detyrohen të blejnë çdo gjë
Në një dalje për mediat nga shkolla 9 -vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë, ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi hodhi akuza kundrejt kreut të bashkisë Tiranë.
Sipas Vokshit nga bashkia janë mbledhur rreth në 5 vite janë mbledhur deri në 50 milionë dollarë për infrastrukturën shkollore në kryeqytet.
Vokshi: Jam sot këtu para shkollës 9 -vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë. Ne, qytetarët e Tiranës, paguajmë çdo muaj, taksën për infrastrukturën e arsimit. Çdo familjar, çdo prind paguan çdo muaj bashkë me faturën e ujit 1500 lekë. Çdo biznes, që nga biznesi i vogël, i mesëm apo biznes i madh paguan nga 40 mijë deri në 370 mijë lekë për infrastrukturën arsimore të shkollave. Pra, deri më sot, në 5 vite janë mbledhur deri në 50 milionë dollarë për infrastrukturën shkollore e cila duhet të ishte e dedikuar për ndërtimin e 17 shkollave të reja, në mënyrë që fëmijët të mos mësonin me 2, 3 apo 4 turne, apo për përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme për mësimin e nxënësve në shkollat e Bashkisë së Tiranës.
Janë mbledhur 30 milionë dollarë, por sot kur jemi në semestrin e dytë të vitit shkollor 2020-2021, nxënësit mësojnë ende me 2, 3 apo 4 turne. Shumica e shkollave në Tiranë nuk kanë sistem të përshtatshëm ngrohjeje. Ku kanë shkuar pra 30 milionë dollarë që janë mbledhur nga Bashkia Tiranë?
Për Vokshin, çdo ditë kërkohet që të fusin duart në xhepin e prindërve, të fusin duart në buxhetin e familjeve.
Vokshi: Dhe nuk mjaftohen me kaq, çdo ditë kërkojnë të fusin duart në xhepin e prindërve, të fusin duart në buxhetin e familjeve. Unë këtu kam disa mesazhe që drejtoresha e shkollës “Jeronim De Rada”, iu ka dërguar një grupi prindërish ku shpjegon se cilat janë nevojat emergjente të shkollës në mënyrë që të sigurohet, sikurse drejtoresha e përcakton në mesazhin e saj, “për zhvillimin sa më të mirë të procesit mësimor ashtu edhe mbi nevojat e shkollës.”
Çfarë kërkon drejtoresha?
Drejtoresha thotë që “Departamenti i Matematikës ka nevojë imediate për mjetet didaktike në ndihmë të mësimdhënies; për raportor, kompas”. “Departamenti i Gjuhës Shqipe ka nevojë për tabelat bazë të Gramatikës dhe të Gjuhës Shqipe”. “Departamenti i Historisë dhe Gjeografikë ka nevoja për harta si dhe mjete bazë për mësimin”. “Departamenti i Fiskulturës ka nevojë për topa dhe për mjete të tjera sportive”.
Vokshi shtoi se këto nevoja bazike për një mësimdhënie cilësore nuk i siguron qeveria por duhet që t’i sigurojnë prindërit.
Vokshi: Sikurse e shihni, këto nevoja bazike për një mësimdhënie cilësore nuk i siguron qeveria por duhet që t’i sigurojnë prindërit. Para ka në buxhetin e shtetit për plotësimin e të gjitha këtyre nevojave dhe për sigurimin e infrastrukturës së përshtatshme, por paratë vidhen, ato shkojnë në parajsa fiskale, ato shkojnë për një turizëm luksoz me mish floriri në restorantet më të shtrenjta në Dubai dhe nuk merret asnjë masë të kenë kushte të përshtatshme, të ngrohta për të bërë mësim.
Asnjë qindarkë investime nga qeveria për fëmijët, asnjë masë e marrë për të mbrojtur mësuesit. Të braktisur, të keqtrajtuar, të keqshfrytëzuar, dhjetëra orë të papaguara në javë dhe për më tepër të mashtruar për gjoja rritje të pagave nga kryeministri Edi Rama. Por kur është boll, është boll. Kësaj duhet t’i jepet fund një herë e mirë. Shqipëria nuk ka nevojë për një kryeministër të lidhur me bandat, për një kryeministër të lidhur me mafian dhe krimin. Shqiptarët dhe Shqipëria kanë nevojë për një kryeministër të dijes, për një kryeministër të arsimit.


