3 milionë metër katrorë ndërtim në Tiranë, raportet: Kompanitë nuk justifikojnë burimet e tyre financiare
Në vetëm 3 vitet e fundit në Tiranë janë dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 3 milion e 155 m2. Sipas të dhënave zyrtare, kryeqyteti zë 60 për qind të të gjithë lejeve në të gjithë Shqipërinë. Një situatë e tillë ka shqetësuar organizatat, që shprehen se 60 për qind e kompanive nuk justifikojnë burimin e të ardhurave.
Tirane- Rreth 60 për qind e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në këtë periudhë kohore në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare.
Ky është një nga konkluzionet e raportit të nismës globale kundër krimit të organizuar. Por edhe në përgjimet e Antimafias, të akuzuarit si pjesë e Ndraghetës flasin mbi financimin e kompanive të ndërtimit në vështirësi.
Por çfarë ka ndodhur në Tiranë me lejet e ndërtimit?
Referuar INSTAT, gjatë periudhës janar 2018 deri në shtator të vitit 2020 në kryeqytet janë miratuar 976 leje ndërtimi me një sipërfaqe totale rreth 3 milion e 155 mijë metër katror.
Gjatë vitit 2018 janë firmosur 388 leje ndërtimi dhe është dhënë një sipërfaqe prej 940 mijë e 348 metra katrorë.
Një vit më pas edhe pse u miratuan 15 leje më pak, por sipërfaqja e kaloi në 1.4 milionë metra katrorë.
Mos e humbisni: “Ndrangheta”, Prokurori i Antimafias italiane: Jemi në rregull me dokumentacionin, kam besim te gjykatësit
Shifrat janë të afërta edhe në vitin 2020. Edhe pse gjithçka u ndërpre si pasojë e pandemisë, vrulli i ndërtimit nuk u ndal.
Deri në shtator të vitit që kaloi janë firmosur nga kryebashkiaku i Tiranës 215 leje ndërtimi me një sipërfaqe prej më shumë se 758 mijë metra katror.
Në raportet e INSTAT, bie në sy që sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë arrin në rreth 60% të totalit për gjithë Shqipërinë.
Mos e humbisni: Ekskluzive/ Senatori italian: Mafia shqiptare do të jetë një nga mafiet më dominuese të Evropës
Së fundmi, kulla të larta kanë nisur të rrethojnë edhe qendrën duke i lënë në hije edhe monumentet historike dhe identifikuese të kryeqytetit.