"Jemi të dënuar të bashkëpunojmë!"Ademi debat me Peleshin për përmbytjet: Qeveria na detyrohet 9.5 mld lekë

Situata e rëndë e krijuar nga përmbytjet në disa zona të Shkodrës ka përplasur në debate me tone të larta kryebashkiaken e Shkodrës Ademi dhe  ministrin e Mbrojtjes Peleshi.

Të gjendur të dy në Obot, Ademi u përpoq që para gazetarëve të bindte Peleshin se pse është e domosdoshme shpallja e emergjencës.

Por Ministri tha se nuk ka nevojë për vendim qeverie, pasi sapo uji të tërhiqet, institucionet vendore duhet të bëjnë vlerësimet dhe qeveria do t'u përmbahet detyrimeve.

Këto fjalë të bukura nuk i mjaftuan Ademit, e cila duke e prekur çdo ditë realitetin nga afër, tha se banorët aktualisht janë në krizë për ushqim për bagëti, pa hyrë fare në vlerësimin e dëmeve.

Ademi i bëri të qartë Peleshit, se qeveria u detyrohet këtyre banorëve 9 miliard e gjysmë lekë dëmshpërblim për përmbytjet, prej tyre 3 miliard e gjysmë të 2018.

Në fund të debatit të dy në njëfarë mënyrë ranë dakord se janë të "dënuar" të bashkëpunojnë dhe kryebashkiakja Ademi e garantoi Peleshin se nëse mban premtimin do ta falenderojë publikisht.

Debati i plotë

Ademi: Duhet të vlerësojmë dëmin. Akti formal shërben për disbursuar dhe garantuar dëmshpërblimin sado që të jetë. Nuk mjafton vetëm vullneti. Nëse shpallim gjendjen e emergjencës së pari bëjmë të mundur të mobilizojmë ca fonde. Në këto momente bashkia e Shkodrës po shpenzon, pa prokurim. Po mobilizojmë mjete dhe pajisje që kushtojnë. Unë mund ti marr nga familja ime me shumë dëshirë por nuk mendoj se kjo është mjaftueshëm. Na duhet dhe ne një akt formal për të mobilizuar fondet tona.Shpallja e emergjencës do të lehtësonte prefektin e qarkut të Shkodrës, Bordin e Kullimit, bashkinë Shkodër dhe të gjithë strukturat e tjera. Duke u shpall emergjenca automatikisht strukturat fillojnë punën për vlerësim, automatikisht është detyrueshme për qeverinë dhe bashkinë dëmshpërblimi. Kjo është mënyra ligjore. Shpresoj shumë që kjo që ju thatë të ndodhë, nuk na ka ndodhur në 2018 me ministren Xhaçka. Kemi qenë këtu në Dajç, ka qenë mbi 3 miliard e gjysmë lekë dëmi i vlerësuar dhe nuk na është dhënë asgjë. Kur them "nuk na" , kam përjashtuar bashkinë Shkodër se nuk është se kemi punuar pak në këtë zonë. Nëse kjo do zgjasë shumë është një dëm i konsiderueshëm.

Peleshi: Ju kuptoj, kjo nuk është çështje kush e ka topin, kërkon vetëm bashkëpunim.Pushteti vendor nuk ka nevojë të marrë leje apo vendim nga qeveria dhe parlamenti për të bërë vlerësimin e dëmeve. Sapo të kalojmë përmbytjet i lutemi Voltanës dhe bashkive të tjera të bëjnë vlerësimin e dëmeve, nuk ka nevojë për urdhër apo vendim nga qeveria. Sapo të bëhet vlerësimi ne nuk mund të tejkalojmë kufizimet ligjore, do ti përmbahemi përsa na takon. Është viti i parë që bashkive u është kërkuar me detyrim të kenë 4% të buxhetit për emergjencat.

Ademi: I kemi 7%.

Peleshi: Shumë mirë, nëse ky 7% nuk mjafton padyshim që do të angazhohemi për t'ju mbështetur në përballimin e kësaj fature.

Ademi: Kemi filluar prokurimin për të blerë koncentrat për herë të parë në historinë e emergjencave civile. Nuk ka asgjë, ka mundësi me dhënë mirë, nuk ka mundësi, s'ka.

Peleshi: Ata që ligjin na ngarkon ti dëmshpërblejmë ne patjetër që do të mbështesim bashkitë.

Ademi: Jemi duke i përballuar vetë.

Peleshi: Jo.Në rast se nuk mjafton fondi i bashkisë, kemi fondet tona për t'ju mbështetur.

Ademi: E keni për detyrë atëherë.

Peleshi: Është detyrë e përbashkët. Banorët presin mesazhe të tjera nga ne. Mesazhi im është që të gjitha familjet do të mbështeten, mesazhin tuaj nuk e kuptoj se çfarë është.

Ademi: A ka mundësi që ne të kemi 1 fije floku ndihmë nga qeveria për koncentrat minimalisht?

Majlinda Angoni: Ka ardhur, është shpërndarë sot në Obot, 16 kuintal misër.Është duke ardhur një sasi ushqimi tjetër.

Ademi: Zonja prefekte a ka mundësi mos me bë zhurmë?

Majlinda Angoni: Zhurmë jeni duke bërë ju, unë po jap informacion.

Peleshi: E dini sa e turpshme është që banorët të mendojnë se bashkia, prefekti dhe ministri nuk po merren vesh për një kamion me misër. Sollëm 30 ton misër në Obot, do sjellim gjithçka që mundemi.

Ademi: 500 ton, 200 duheshin para tre javësh.

Peleshi: 1000 ton sjellim ne, ju lutem bashkëpunoni.

Ademi: A ka mundësi 500? A ka mundësi me e bë të mundur dhe mos me rrejt këtë popull, mua mos më rrej. Mua nuk më rren ti.

Peleshi: Ky nuk është mesazhi...

Ademi: Atëherë 3 miliard e gjysmë në 2018 dhe 6 tani i kërkojmë nga qeveria.

Peleshi: Llogarit ato të 2010 që janë paguar nga qeveria.

Ademi: Nuk janë paguar akoma dhe sot që flasim.

Peleshi: Po qeveria e kaluar ka paguar ndonjë lek?

Ademi: Treçerekun e atyre që po flisni ju.

Peleshi: Qytetarë dhe banorë të zonës ju lutem mos u dekurajoni nga këto debate sepse pavarësisht sesa mund të bashkëpunojë një institucion apo tjetër Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kordinon të gjithë aktorët në këtë përpjekje.

Ademi: Jemi që në orën 6 të mëngjesit këtu zoti Ministër, jemi këtu për ta vërtetuar.

Peleshi: Kjo po tejkalohet, i kërkoj bashkisë, prefekturës dhe të gjithë institucioneve të lënë mënjanë çdo lloj gërr-mërri institucional dhe të merren me punë. Do të bëjmë detyrën tonë, çdo aktor duhet të bëjë detyrën e vet.

Ademi: Ne do të jemi këtu për ta pritur këtë.

Peleshi: Sa më takon si Ministër i Mbrojtjes, FA me mjete, efektivë dhe materiale do të jenë në gatishmëri jo vetëm këtu, por në çdo zonë. Këtu jemi për mesazhe bashkëpunimi, me tone të larta por do të bashkëpunojmë.Jemi të dënuar të bashkëpunojmë!

Ademi: Nëse kjo do të ndodhë,publikisht do të them Faleminderit!

Peleshi: Jemi të dënuar të bashkëpunojmë, fillimisht thuaj një herë faleminderit për të gjithë forcat që po punojnë këtu dhe pastaj vazhdojmë. Nuk kam ardhur për ju por për banorët.

Ademi: Këtu do të jemi zoti Ministër, nëse do të ndodhë do t'ju falenderoj publikisht.

Peleshi: Do ta mbash fjalën?

Ademi: Patjetër, e kam për detyrë.