Basha prezanton programin ekonomik: Koha e premtimeve pa doganë dhe matrapazëve politikë që shesin gënjeshtra, ka mbaruar
Pak ditë pas aleatit të saj LSI, edhe Partia Demokratike shpalosi sot programin ekonomik me të cilin pretendon të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ky është një program qeverisje dhe terësisht i zbatuar.
Basha tha se koha e matrapazëve politikë që shesin shpresa boshe për të blerë pushtet për vete ka mbaruar.
Basha: Duam të sjellim para jush një program pune, një program qeverisje, një program të zbatueshëm që do tu shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe jo thjesht një partie politike dhe një fushate elektorale. Ky është një program që do ta çojë Shqipërinë përpara menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit. Keni dëgjuar kaq shumë premtime këto 8 vite.
Jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë. Ndodhi me Kryeministrin në ikje që ju premtoi qindra mijëra vende pune por në fakt me të dhe nën të radhët e të papunëve u shtuan dhe mijëra të pamundurve për punë ju hoq dhe buka e gojës, ndihma sociale. Premtoi të bënte më të fortë ekonominë tonë por ekonomia u shkatërrua dhe shqiptarët po e paguajnë ditë për ditë në xhepat dhe tavolinat e tyre të zbrazura. Kjo kulturë e premtimeve pa doganë do të marrë fund. Nuk kam dalë sot t'ju premtoj gjëra që nuk bëhen kurë realitet. Planet që po nisim të shpalosim sot dhe në javët në vijim nuk janë premtime por angazhime të padiskutushme të miat si Kryeministër dhe të ekipit tim para jush dhe si të tilla do të përmbushen.
Një Kryeministër që nuk është i aftë të përmbushë angazhimet duhet të largohet. Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush.Jo pas 8 vitesh por direkt në katër vitet e para, ka ardhur koha të ndryshojmë Shquipërinë dhe të largojmë këtë qeveri dhe të sjellim një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj. Edhe unë sot mund t'ju premtoj 500 mijë vende pune, pagën minimale 500 euro por ky do të ishte manipulim dhe nuk kam ndërmend të fitoj besimin tuaj me gënjeshtra. Koha e matrapazëve politikë që shesin shpresa boshe për të blerë pushtet për vete ka mbaruar. E keni parë çfarë knë bërë për ju dhe çfarë kanë rrëmbyer për vete.
Basha shpalosi objektivat që PD pret të arrijë përmes këtij programi nga i cili do të përfitojnë të gjithë familjet shqiptare.
Basha: Dyfishimi i të ardhurave për frymë, objektivi parësor. Angazhim për zhdukjen e varfërisë ekstreme, nuk do të ketë më familje shqiptarë që vuajnë për bukën e gojës, ujë dhe drita. Nuk do të ketë më ministra që shumifishojnë pasuritë si në administratën e Ramës. Hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike. Varfëria në terësi do të ulet brenda mandatit të parë me 50%. Shtresa e mesme është motori i zhvillimit. Familja është në qendër të politikave të PD.
Familja shqiptare është shtylla e politikës së PD, Shqipëria do të fitojë me familje më të arsimuara, me të ardhura të sigurta dhe që paguajnë taksa të ulëta. Rinia shqiptare është fokusi i këtij programi dhe ardhmja e vendit. Reformat fiskale të taksave, arsimit, politikat e nxitjes së investimeve dhe punësimit kanë për qëllim promovimin e të talentuarve dhe të aftëve dhe thithjen e talenteve të reja. Largimi i të rinjve dhe potencialeve njerëzore është kastrofë kombëtare. Kjo qeveri nxiti emigrimin më masiv në këto dekada. Çdo familje shqiptare është prekur nga kjo plagë.
Programi ekonomik i PD i prezantuar nga Basha
1.110 mijë vende të reja pune përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe thithjen e investime të huaja
2.Rritja e pagës minimale në 36 mijë lekë të reja në muaj, duke krijuar lehtësira për biznesin dhe duke e mbështetur atë
3.Ulje e taksave mbi të ardhurat personale në 9% duke ruajtur fashën ekzistuese mbrojtëse prej 30 mijë lekësh. Taksë 9% e fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milion lekë të reja
4. Ulje e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%.
5.Totali i taksave dhe tarifave vendore të bizneseve të vogla dhe të mesme nuk do të jetë më i lartë se 0.5% e xhiros.
6. Anulimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër karburanti. Çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë të vjetra më pak sesa ju kushton sot.
7. Rritje e pensioneve me dyfishin e inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit me synimin që në fund të mandatit të parë pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit.
8.Ulje e çmimit të energjisë elektrike dhe të karburanteve.
9.Mbulim i shpenzimeve arsimore për tarifat arsimore për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura më pas 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
10.Programe pas shkollore edukative për fëmijët dhe ushqim në shkollë për orët shtesë. Kështu fëmijët do të jenë të sigurt dhe larg rrugëve.
11.Tekste shkollore falas për të gjithë ciklin parauniversitar.
12. Çdo familje do të përfitojë për çdo të porsalindur një pagesë mujore 3 mijë lekë të reja në muaj për 5 vitet e para të jetës.
13. Çdo vit, 5000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim. Qeveria do të paguajë 100% interesat bankare për çdo kredi të marrë për një apartament apo banesë.
14. Subvencione për fermerët 100 milion euro në vit dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore apo blegtorale.