Enigma e zhdukjes së biznesmenit italian: Ku ndahet policia italiane me atë shqiptare
Hetuesit italianë dhe shqiptarë kanë dallime në lidhje me pistat e hetimit për zhdukjen e biznesmenit italian Davide Pecorelli, i cili humbi gjurmët në Pukë më 6 janar. Policia shqiptare është e bindur se djegia e makinës ka qenë aksidentale, ndërkohë që hetuesit italianë dyshojnë për vrasje. Për këtë arsye pala shqiptare ka kërkuar një ekspert të pavarur nga Italia, për të verifikuar shkakun e plotë e ngjarjes.
Pas shkëmbimit të informacioneve mes palës italiane dhe policisë shqiptare lidhur me zhdukjen e biznesmenit italian, dy grupet hetimore këtë të enjte kanë nisur me analizën e të dhënave të marra në dispozicion.
Pistat e hetimit për zhdukjen e sipërmarrësit italian Davide Pecorelli duket se kanë ndarë në dy qëndrime policinë shqiptare dhe atë italiane.
Grupi i hetuesve shqiptarë duket se është i bindur se djegia e makinës ka qenë aksidentale, por specialistët italianë kanë dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm nga vetë biznesmeni, i cili mund të ketë kryer vetëvrasje, apo persona të tjerë, çka bën që hetimet të fokusohet edhe tek pista e vrasjes.
Lidhur me këtë kontradiktë mes dy palëve, policia shqiptare i ka vënë në dispozicion ekspertizën një specialisti privat, i cili ka përcaktuar se shkaku i djegies së makinës ka qenë aksidental.
Për këtë arsye policia shqiptare i ka kërkuar homologëve të sjellin një ekspert të pavarur nga Italia për të përcaktuar dhe ai në mënyrë të pavarur shkakun e shkrumbimit të automjetit të biznesmenit Davide Pecorelli.
Pala italiane i ka vënë në dispozicion dhe hetimet dhe dëshmitë e marra nga prokuroria e Perugias, por sipas hetuesve shqiptarë janë të pamjaftueshme për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.
Ekspertët italianë gjatë vizitës në komisariatin e Pukës fotografuan automjetin e marrë me qira nga 45-vjeçari Pecorelli në të cilin u gjetën dhe mbetje kocke.
Dyshimet janë se ato i përkasin 45 vjeçarit, por për të thënë fjalën e fundit hetuesit italianë dhe kolegët shqiptare presin raportin e krahasimit me një familjar në Itali.
Hetuesve nga Italia u janë vënë në dispozicion dhe kamerat e sigurisë së hotelit ku ka qëndruar sipërmarrësi italian, të bizneseve në zonën e Gjeçanit.
Të paqarta për dy grupet hetuese janë lëvizjet e biznesmenit në Mirditë, çka nuk mund të faktohen për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë në bizneset e kësaj zonë.
Palës italiane i është dhënë edhe telefoni i 45-vjeçarit, në të cilin edhe pas ri-inspektimit nuk janë gjetur mesazhe apo telefonata kërcënuese.