Atentat 60-vjeçarit në Kurbin, babai i të akuzuarit për vrasjen e Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës

Mesditën e sotme është qëlluar me armë zjarri, Myslym Lika, i cili ndodhej në Mamurras. 60-vjeçari Lika, është qëlluar me disa plumba duke mbetur i plagosur rëndë dhe tashmë është çuar për marrjen e ndihmës mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.

Ora News mëson se Lika është  babai i Ilir Xhepaj alias Lika, njërit nga personat e arrestuar në Tiranë për atentati me armë zjarri ndaj Bujar Likës dhe biznesmenit të kazinove Paulin Gjergji, nga i cili mbetën të vdekur të dy.

Burime nga policia e Laçit bëjnë me dije se Lika, është qëlluar teksa ishte duke lëvizur në rrugët e Mamurrasit.

Ndërkohë, ai kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi ishte i dënuar me 25-vite burgim për akuzën e vrasjes së dyfishtë në vitin 1994.

Lika, këtë dënim e ka kryer dhe së fundmi kishte dalë nga burgu. Ngjarje e atentatit kundër tij, dyshohet të ketë ndodhur për motive gjakmarje pasi vetë Myslym Lika dhe djali i tij, Ilir Lika, janë përfshirë në veprimtari kriminale, duke realizuar vrasje.

I biri, Ilir Lika, vitin e kaluar u përfshi në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, ngjarje kjo që tashmë ka shkuar në gjykim së bashku me 5 persona të tjerë.

Sipas burimeve të policisë së Laçit, Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, 27 vjeçarin Nikolin dhe 21-vjeçarin Anton, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre “Range-Rover”.

Ndërkohë sipas policisë, është sërish Ilir Xhepaj ai që së bashku me një shok tjetër Elson (Oltion), Alija (Vlashi), kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduard Lamaj, pasi ky i fundit, gjatë shkëmbimit të zjarrit me Bujar Hasanin, mbeti i dëmtuar me një plumb, në gjurin e këmbës së majtë.

Për policinë dhe prokurorinë e Laçit, Ilir Xhepaj, konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamuras dhe Kurbin.

Ai është nga fshati Gjormi, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin, pasi rezultojnë nga e njëjta zonë.

Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe bënte një jetë mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës.

I dënuar më herët për grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë, Xhepaj, konsiderohet si një emër i rrezikshëm në këtë zonë.

Gjatë kohës së qëndrimit në liri, Xhepaj rezulton se në 15 maj 2020, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë atë.

Pas disa ditësh hetime, prokuroria e Laçit ka vendosur të shpallë në kërkim Ilir Xhepaj për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj Zef Markut.

Por edhe pse ishte në kërkim Xhepaj nuk është arritur të arrestohet nga policia, por ka lëvizur lirshëm në zonën e Kurbinit, duke u implikuar në një ngjarje akoma dhe më të rëndë, atë të vrasjes së biznesmenit të kazinove, Paulin Gjergjit dhe Bujar Hasanit.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 13:25, në Mamurras,Kurbin, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi M.L.,60 vjeç,banues në fshatin Gjorëm,Kurbin i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Grupi hetimor dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe FNSH-së po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

LEXO EDHE

Biseda telefonike që ''fundosi'' Ilir Xhepajn, ja si u kap autori i dytë i dyshuar për atentatin në Kurbin