Kopsitet dosja e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj, merret i pandehur Redjan Rraja e Ariol Halilaj

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë kopsit dosjen dhe çon në gjykatë Redjan Rraja, Ariol Halilaj lidhur me atentatin e 1 nëntorit 2019 në autostradën Durrës-Tiranë.

Nga atentati në afërsi të mbikalimit të Shkozetit u plagos prokurori Arjan Ndoj ndërsa gjeti vdekjen në spital shoferi i tij Andi Maloku, kurse Aleksandër Laho u plagos.

Redjan Rraja akuzohet për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi).

Gjithashtu ndaj tij rëndojnë akuzat për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 79/a – 22, 79/dh-22, 278/1, 2, 134, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të K.Penal.

Ariol Mustafa Halilaj, akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Arjan Ndoja, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 79/a – 22, 79/dh-22, 278/1, 2, 134, 28/4, 134, 333/a/2 dhe 334 të K.Penal.

Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 01.11.2019, rreth orës 16:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, disa persona me një automjet benz, ngjyrë gri, që mbante të vendosur targën AA342LM kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të automjetit me targe AA333ZD, me të cilin udhëtonin shtetasit Andi Maloku, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ku për pasojë këta shtetas kanë marrë plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri. Si pasojë ka gjetur vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, kurse shtetasit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho kanë marrë plagë me armë zjarri dhe i janë nënshtruar mjekimit në spital.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdon hetimet në kuadër të procedimit penal të ndarë me nr.184/1, me qëllim zbulimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.