KQZ garanton teknologjinë, Celibashi: Identifikimi biometrik do të realizohet në 25 prill

Në zgjedhjet e 25 prillit, shqiptarët do të identifikohen me kartat e identitetit apo me  pasaportat nga pajisjet teknologjike të cilat KQZ do t’i blejë nga kompania  Smartmatic.

Komisioneri Shtetëtor, Ilirjan Celibashi, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët tregoi se po vijojnë negociatat për kushtet e kontratës me kompaninë fitues, ndërsa garantoi se qeveria do të alokojë fondin e plotë për identifikimin biometrik.

Celibashi: Do të realizohet projekti i identifikimit biometrik, javën tjetër do të finalizohet marrëveshja.

Celibashi tregohet më shumë optimist se partitë për votimin dhe numërimin elektronik.

Ai paralajmëron politikën se nëse nuk do të bien dakord për zonën e pilotimit, atëherë do të jetë KQZ ajo që do ta marrë situatën në dorë.

Celibashi: Nëse nuk do të kemi dakordësi do të përpiqemi tu ofrojmë ne si KQZ atyre në zgjidhje, mund të jemi në numra më të vegjël por gjithësesi ta reralizojmë si projekt.

Përveç fondit për pilotimin nëse do të realizohet, KQZ do t’i kërkojë një fond tjetër shtesë nga qeveria për kamerat nqë qendrat e votimit.

Celibashi: Jemi duke negociuar për shtesën 3 milion euro, kostoja shtesë lidhet me përdorimin e kamerave në Qendrat e Votimit.

Për të patur lista me kandidatë të pastër në 25 prill, KQZ do të kërkojë ndihmën e institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare.

Celibashi: KQZ pak a shumë i ka kapacitete për të bërë të paktën verifikimet e para. Ka verifikime të thelluara që kërkojnë angazhimin dhe të disa institucioneve të tjera shtetërore. Disa verifikime mund të kërkojnë dhe angazhimin e zyrave ndërkombëtare.

KQZ javën e ardhshme do të miratojë edhe aktin normativ për regjistrimin e emigrantëve, ndërsa ende nuk është gjetur mënyra se si do të votojnë, por Celibashi përjashton votën me postë dhe atë online.

Celibashi: Po përpiqemi që të ndërtojmë një sistem që të jetë i sigurt. Nëse nuk ka konsensus nuk ka kuptim që ky projekt të implementohet, nuk e bllokon asnjëra prej palëve. Ka dhe nga pikëpamja teknike mjaft problematika.

KQZ i bën thirrje qytetarëve që të rinovojnë mjetet e tyre të identifikimit para zgjedheve parlamentare, por Celibashi nuk përjashton edhe skenarin për një kërkesë të mundshme për shtyerjen e afatit të tyre.