Goli historik kundër Greqisë, batuta e Ardian Aliajt në "Sport Magazine"
Gjatë intervistës së tij për "Sport Magazine" në Ora News, ish futbollisti i Kombëtares Ardian Aliaj nuk mund të anashkalonte pyejen rreth golit të tij historik përballë Greqisë, në fitoren 2-1 të shtatorit 2004 në ish stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".
Ish numri 11 i kuqezinjve ishte autori i një supergoli nga rreth 30 metra që do të vuloste edhe fitoren e Shqipërisë përballë kampionëve në fuqi të Europës.
Në një lidhje me Skype nga Krocia, Aliaj, tashmë menaxher i njohur futbolli, kërkoi nga sportdashësit shqiptarë që të mos e kujtojnë vetëm për atë gol.
Ardian Aliaj: Shpresoj të mos më mbani vetëm për golin me Greqinë (qesh). Bëj shaka! Është diçka që nuk ka të bëjë me mua si Adrian. Po flasim për një ndeshje, ndeshje historike për futbollin shqiptar. Në ato kohëra që ishin shumë delikate edhe nga pikëpamja politike.
Ndodhi një fitore që e them dhe e përsëris gjithmonë: nuk ishte as fitorja, as goli im. Ishte fitorja e shqiptarëve dhe e gjithë Shqiptarisë anëembanë. Në atë kohë, njerëzit ku ishin, i kanë harruar ato problemet e tyre. Të paktën për 24 orë. Më vjen mirë që isha protagonist në atë ndeshje, me atë gol.