S'ka shitje, tregtarët ulin çmimet nën kosto në Sarandë e Përmet

Pandemia e koronavirusit, por edhe papunësia ka bërë që këtë fundvit shumë qytetarë të Përmetit në tavolinat e tyre, të kenë produkte që i kanë blerë me borxhe.

Janë vetë tregtarët që teksa thonë se shitjet kanë qenë të pakta, pohojnë se shumë qytetarë kanë bërë furnizime duke shkruar emrin në listë.

"Ka shumë qytetarë që blejnë me borxhe. Në dyqan kemi listë. Çmimet po ulen, nuk po ngrihen sepse nuk ka treg."

Në Sarandë, qytetarët nuk kanë zgjedhur të marrin borxh, por si kurrë më parë, tregu i fruta-perimeve këtë fundvit, po sheh mungesë të ndjeshme të shitjeve dhe tregtarët, e cilësojnë si një ndër vitet më të vështira .

"Në përgjithësi shumë dobët. Të gjitha çmimet janë të ulëta, por blerje s'ka. Si sivjet, ishalla Zoti vendos dorë."
Të gjendur përballë mallit të tyre që edhe mund të prishet, shumë prej tyre kanë vendosur që ta shesin atë edhe nën kosto.

"Ka shumë raste nën kosto. Do na ngelen ndaj i kemi ulur."

Gjatë gjithë periudhës së festave të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, Ora News ka ndjekur situatën në tregjet e vendit, ndërsa është vërejtur se këtë fundvit blerjet kanë qenë mjaft të pakta.