Armë, drogë, dokumente të falsifikuara, Gjykata e Tiranës jep vendimin për çiftin Roçi

Gjykata e Tiranës, ka caktuar këtë të mërkurë masën e sigurisë për dy bashkëshortët Ermal dhe Nertila Roçi, të arrestuar tre ditë më parë, në autostradën Tiranë-Durrës. Togat e zeza të kryeqytetit lanë në burg 36-vjeçarin Ermal Roçi, ndërsa për bashkëshorten e tij Nertilën 27-vjeçe, u caktua masa e siguresë detyrim paraqitjeje.

Dy bashkëshortët Roçi ranë në prangat e policisë pasditen e të dielës në kuadër të operacionit të koduar “Autostrada”, i zhvilluar nga forcat e posaçme “Shqiponjat”. Finalizimi i operacionit është kryer gjatë pasdites së të dielës në autostradën Tiranë-Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative, të cilët kishin piketuar si të dyshuar të cilët mbanin me vete sende të kundërligjshme dhe lëndë narkotike.

Efektivët e policisë gjatë kontrollit të mjetit të çiftit nga Elbasani i gjetën dhe sekuestruan një sasi municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Më pas operacioni i policisë është shtrirë dhe në drejtorinë vendore të policisë Elbasan, të cilët gjatë kontrollit në banesën e tyre gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pushkë, dy dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe një sasi lënde narkotike kanabis.

Sipas policisë, çifti i bashkëshortëve Roçi u ndaluan nën cilësinë e personave të akuzuar për disa vepra penale, me të cilat u përballën në gjykatë.

Lexo dhe:
Armë, drogë, dokumente të falsifikuara/ Arrestohen në Tiranë burrë dhe grua