Lezhë: 28 plumba drejt kamionit, arrestohen dy të rinjtë, u kapet “kallash” e pistoletë
Dy persona u arrestuan në Lezhë, pasi kanë qëlluar me breshëri një kamion në pronësi të një kompanie private pranë fshatit Gajush. Dy të rinjve iu kap një armë zjarri kallashnikov, një pistoletë, dhe fitil zjarrpërcjellës.
Policia e Lezhës njoftoi arrestimin e dy të rinjve të cilët sipas njoftimit zyrtar kishin qëlluar në ajër në zonën e Gajushit.
Të arrestuarit janë Redion Hysa dhe Sokol Hysa, përkatësisht 19 dhe 28 vjeç, që të dy banues në Milot
Por ndryshe nga njoftimi zyrtar, burimet thonë se dy të rinjtë nuk kanë qëlluar në ajër, por objektiv i sulmit ka qenë një makinë e një kompanie private.
Automjeti ndaj të cilit u qëllua sipas burimeve është i tipit ‘Man’, me targa AA 324 YY që drejtohej nga Gjok Malaj, banues në Shën koll në Lezhë
Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan me cilësine e proves materiale 28 gëzhoja mod 56.
Gjatë kontrollit në banesën e Redion Hysës, policia gjeti armën kallashnikov, ndërsa në banesën e Sokol Hysës një pistoletë dhe fitil zjarrpërcjellës.
Motivet e sulmit me armë ndërkohë mbeten të paqarta.
Arsyet pritet të zbardhen gjatë marrjes në pyetje të dy personave të arrestuar.