'Armëmbajtje pa leje' arrestohet shtetasi 54 vjeçar në Krujë

Një shtetas shqiptar është arrestuar nga Policia e Krujës nën akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Shtetasi me iniciale S. Sh., 54 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë është vënë në pranga pas kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri.

'Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. Sh., kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 7 krehra dhe 173 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale' thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale "Armëmbajtja pa leje", për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.