Ekselentët "në borxhe", qeveria nuk ka kaluar fondet: Dalin në janar
Studentët po hasin vështirësi për shkak të vonesës së bursave. Ata thonë se në kushtet kur mësimi zhvillohet online, bursat janë shumë të vlefshëm për ta. Ndërkohë që Ministria e Arsimit thotë se prej këtij institucioni janë kryer të gjitha procedurat, disa rektorate thonë se në janar kryhen transfertat nga qeveria.
Megjithëse dy muaj nga fillimi i vitit të ri akademik, studentët e disa universiteteve nuk kanë marrë ende bursën.
Bëhet fjalë për Universitetin Politeknik, atë të Tiranës dhe Univeristetin Bujqësor. Por pavarësisht se të rinjtë po hasen më këtë problem, ata i frikësohen daljes publike.
Por aktivisti i qendresës qytetare, Rigels Xhemollari, thotë se denoncimet kanë qenë të shumta dhe mësimi online shton domosdoshmërinë e bonusit sidomos për studentët që vijnë nga familje me nevoja ekonomike.
"Vjen në një moment që studentët kanë shumë nevoja sa i përket internetit, plotësimit të kushteve të tyre dhe në një moment pandemie që familjet e tyre janë në nevoja ekonomike. Janë vënë në vështirësi duke marrë dhe borxh për të plotësuar nevojat studentore."
Ky është viti i dytë që studentët hasen me vonesa të tilla, ndërsa duket se kalimi i bursës në llogaritë e studentëve është i vështirë të bëhet brenda dhjetorit.
Ora Neës komunikoi me Ministrinë e Arsimit, e cila deklaroi se ky institucion i ka kryer të gjitha procedurat për kalimin e lekëve në universitetet e vendit dhe sipas tyre tyre vonesa mund të lidhet me menaxhimin e brendshëm të universiteteve.
"Proceduralisht është e pamundur pasi Thesari i Shtetit është mbyllur dhe mundësimi i bursës brenda muajit dhjetor nuk mund të realizohet pasi është një fonnd që kalon nga qeveria te universiteti dhe nga universiteti te studentët."
Ndërkohë përfaqësues nga rektorati i UT thonë se në janar kryhen transfertat nga qeveria dhe do të jetë fillimi i 2021 kur bursat do të shpërndahen.
Ndërsa nga Universiteti Politeknik konfirmohet se shpërndarja do të bëhet brenda dhjetorit.