Vasili: Opozita e bashkuar, nuk do të ketë votë që 'gabimisht' shkon te Rilindja
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, në një intervistë për gazetaren Siklajda Shora në Ora News, është shprehur se, opozita është e bashkuar, ndërsa kryeministri Edi Rama është i vetmuar.
Sipas Vasilit, e gjithë vota opozitare, 80% sipas tij, do të ketë mundësi të adresohet dhe të sjellë ndryshimin e madh.
“Opozita e bashkuar ka zgjidhur problemin më të madh. I gjithë fronti opozitar qytetar ndodhet në një anë, dhe vetëm në anën tjetër ndodhet Edi Rama me Rilindjen. Kështu kohezioni, ajo që është bashkimi, aksionet e përbashkëta politike, ndarja e objektivave themelore politike janë të gjitha të zgjidhura, edhe institucionalisht. Ju e dini që ne kemi një marrëveshje institucionale prej kohësh. Dhe kjo është një risi sepse kurrë më parë nuk ka patur një front opozitar, i cili jo vetëm i ka pjesë të aksionit të vetë politik ato që bën por i ka formalizuar seriozisht me objektiva të mëdha programore.
Këto janë elemente taktikë dhe në javët e ardhshme do të ketë edhe vendimarrje për këtë çështje por në të gjitha rastet, e gjithë vota masive opozitare mbi 80% e shqiptarëve do të ketë mundësinë të adresohet dhe të realizojë ndryshimin e madh", u shpreh Vasili.
“Themelore do të jetë që kjo votë do të shkojë për të realizuar ndryshimin e madh. Nuk do të ketë një votë që gabimisht shkon në krahun e Rilindjes. E akomoduar në një listë të vetme, në dy lista të veçanta, në tre, ka një rëndësi minimale”, shtoi nënkryetari i LSI në intervistën për Ora News.
.