Studenti shqiptar në Holandë-Bashës: Çfarë pamë nga protesta e fundit në Tiranë

Në një bashkëbisedim që kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi sot me të rinj që kanë studiuar dapo vazhdojnë të studiojnë jashtë shtetit, dëgjoi prej tyre shqetësimin e rritjes së arrogancës së qeverisë, që si pasojë ka riformatimin e një shoqerie indiferente.

"Ajo që më shqetëson mua sot pas të gjitha këtyre që kanë ndodhur, nuk është vetëm kjo arrogancë sistematike që qeveria tregon, por kjo arrogancë sistematike është duke riformatuar një shoqëri indiferente, një shoqëri ose një qytetari, një qytetar i cili ka humbur besimin se vota realisht mund të ndryshojë diçka, - tha një prej tyre, Julian Beqiri, student arkitekture në Holandë.

Jemi në pikën kur në një protestë të fundit që u mbajt për disa ditë më parë këtu në Tiranë, ne shikojmë që ajo shtresë shoqërore që mori pjesë në protestë janë adoleshentë dhe të rinj, sepse për mendimin tim janë pikërisht këta që nuk janë përballur akoma me arrogancën e vendit, me arrogancën e qeverisë.

Janë këta që janë akoma me ide infantile, ide të thjeshta, ide të bukura, të pastra, të qarta sepse prindërit e tyre, apo dhe ata në moshën time e më të vjetër se unë, në njëfarë mënyrë e kanë thyer hundën në përballjen me qeverinë. Unë mendoj që ka ardhur momenti që e para njëherë, kjo arrogancë duhet të marrë fund nga çfarëdo force politike që të vijë në pushtet dhe ka ardhur momenti që qytetarëve t’u jepet e drejta për të qenë pjesë e vendimmarrjes", - u shpreh studenti.