Kuvendi mbyll sesionin parlamentar, Evgjeni Bashari zgjidhet kryetare e ILDKPKI-së
Kuvendi mbylli sesionin parlamentar për të rinisur sërish në 18 janar të vitit të ardhshëm. Në këtë seancë të fundit, deputetët zgjodhën drejtuesen e re të ILDKPKI me një mandat 7 vjeçar. Ndërsa socialistët i bëjnë thirrje PD që të lërë mënjanë retorikën politike dhe të përshëndesë parlamentin për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit.
Në seancën e fundit plenare për këtë sesion, Parlamenti zgjodhi edhe inspektorin e ri të përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
Evgjeni Bashari, e cila ka mbajtur postin e Sekretares së Pergjithshme të ILDKPKI, mori besimin e Parlamentit për një mandat 7 vjeçar për të drejtuar këtë institucion.
Në 2021 politika shqiptare do të hyjë në një vit zgjedhor, ndërsa kreu i grupit PS Taulant Balla kishte një mesazh për PD që lidhet me marrëveshjen e 5 qershorit.
Balla: Gjej rastin të falenderoj edhe opozitën parlamentare. Se bashkë kemi votuar shumë çështje të rëndësishme. Nuk flas për ndonjë deputet që është riregjistruar te SHPK e Monika Kryemadhit por përgjithësisht deputetët e opozitës parlamentare më kanë mbështetur.
Sot Kuvendi pas seancës së kaluar përmbyll të gjithë legjislacionin që lidhet me marrëveshjen e 5 qershorit, dhe garanton zgjedhje të lira demokratike. Zgjedhjet e 25 prillit jam i bindur se do të jenë më demokratiket. I bëj thirrje PD që nga ky moment të heqë dorë nga retorikat e panevojshme të cilat si bëjnë mirë procesit zgjedhor , i bëj thirrje LSi ta përshëndesë vendimin e Kuvendit për të votuar të gjithë kuadrin ligjor të 5 qershorit.
Një pjesë e opozitës parlamentare e ka mbështetur këtë marrëveshje. Falë marrëveshjes me oopozitën ne kemi mundësi sot që në zgjedhjet e 25 prillit të votojnë jo vetëm për partinë por edhe për kandidatët që ndodhen në atë parti. Në fund por dhe më e rëndësishmja dua tu uroj të gjithë deputetëve gëzuar festat. Gëzuar krishtlindjet për besimtarët, qoftë një vit i mbarë.
Në këtë seancë u miratuan edhe ndryshimet në kod penal që aministohen të gjithë bashkëpunëtorët e drejtësisë për krimet zgjedhore.
Sesioni i ri parlamentar do të nisë me 18 janar të vitit të ardhshëm, ku për shkak të kufizimeve në kod zgjedhor, qeveria do ta ketë të vështirë të ndërmarrë nisma me efekt financiar për fushatën zgjedhore që nuk janë parashikuar në buxhet.