Basha: Qeveria duhet të financojë trajnimin e të rinjve në teknologji informacioni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me një grup të rinjsh që studiojnë dhe kanë mbaruar studimet në universitetet jashtë vendit.

Në një kohë kur të rinjtë po ikin përditë nga Shqipëria, kreu i opozitës e cilësoi kthimin e këtyre studentëve ekselentë në atdhe si një mesazh shprese për ndryshimin që kërkon vendi.

Duke iu përgjigjur këtyre problematikave, Basha solli shembullin europian të Start-up-eve të reja, pikërisht duke i mundësuar rinisë, të rinjve që duan të krijojnë një sipërmarrje të tyren, kredi me interesa të favorshme.

"Një instrument që përdoret dhe nga vendet e Perëndimit është stimulimi i Startup-eve të reja, pikërisht duke i mundësuar rinisë, të rinjve që duan të krijojnë një sipërmarrje të tyren kredi me interesa të favorshme dhe me një lehtësim, sa i përket kolateralit dhe aspekteve të tjera, sa i përket ndërtimit të modelit të biznesit.

Me të vërtet Shqipëria mund të mos ketë në afat shkurtër mundësi financiare për të ndërtuar një skemë masive në këtë drejtim, por që ta orientojë një mekanizëm me mbështetje shtetërore, një fond garanci shtetërore drejt sektorëve prioritar të zhvillimit, që mund të jenë turizmi apo teknologjia e informacionit apo të tjera aktivitete prodhuese dhe ekspozuese, këtë Shqipëria mund ta bëjë. Për mua nuk ka prioritet më real sesa të mbështesim sipërmarrjen rinore standarde dhe të mbështesim punësimin e të rinjve, duke sjellë edhe stimulim fiskal edhe stimulim financiar për sipërmarrjet e tjera që punësojnë të rinjtë, duke përfshirë këtu të rinjtë që kthehen nga jashtë", tha kreu i opozitës.

“Infrastrukturë rrugore dhe digjitale, dy prioritetet tona të qeverisjes 2005-2013. Hodhëm themelet e digjitalizimit që dha frytet e para, si liberalizimi i vizave.

Prej disa vitesh, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap në fushën e teknologjisë. Mungesë trajnimi teknologjik për të rininë dhe një shkallë shumë e ulët e depërtimit të teknologjisë në arsim”, tha kreu i PD.

Sipas Bashës, “Shqipëria ka edukimin më të padigjitalizuar në Ballkan”, ndësa shtoi se “teknologjia redukton edhe korrupsionin e administratës publike”.