VIDEO/ Benzi në sens të kundërt në "rrugën e vdekjes", ndalohet drejtuesi, bllokohet makina

Paraditen e sotme, rreth orës 09:30, patrulla e Policisë Rrugore Lezhë që ishte në patrullim në aksin rrugor Thumanë-Milot-Lezhë, ka konstatuar një automjet tip “Benz” duke qarkulluar me shpejtësi në korsinë e shpejtësisë, në sens të kundërt, nga Mamurrasi për në Thumanë, duke rrezikuar seriozisht përfshirjen në ngjarje rrugore.

Aksi në fjalë njihet për numrin e madh të aksidenteve dhe jetëve të humbura dhe janë të panjohura arsyet e një veprimi të tillë.

Patrulla e Policisë ka bërë menjëherë bllokimin e automjetit, si dhe ka proceduar për në OASH drejtuesin e mjetit, për lëvizje në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar.

"Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën horizonte dhe vertikale dhe të mos kryejnë manovra të gabuara apo të qarkullojnë në sens të kundërt me lëvizjen e lejuar, pasi rrezikojnë seriozisht jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës", thuhet në njoftimin e Policisë.