Beteja për 4 mandate deputeti, KQZ letër Gjendjes Civile
Gabimi teknik për ndryshimin e vendbanimeve ka shkaktuar ndryshimin e mandateve të deputetëve në tre qarqe. Nisur nga kjo pikë, opozita ka kërkuar nga KQZ të mos votojë projektin. duke i kërkuar Gjendjes Civile të sqarojë situatën.
Ndryshimi i adresave pak muaj para zgjedhjeve dhe denoncimet publike të qytetarëve kanë shqetësuar Partinë Demokratike, duke e konsideruar si proces që mund të ndikojë në ndarjen e mandateve.
Sipas projeksionit të KQZ-së, Dibra dhe Gjirokastra në zgjedhjet e 2021 do të kenë nga një mandat më pak dhe Tirana dy më tepër.
Përfaqësuesi i PD-së në KQZ me anë të një kërkese zyrtare kërkon hetimin dhe shtyrjen deri në 10 ditë të votimit të ndarjes së mandateve të reja.
Ivi Kaso: Duke qenë se përllogaritja e ndarjes së mandateve kryhet duke marrë për baze numrin e popullsisë dhe jo numrin e zgjedhësve, si dhe duke konsideruar se për shkak te numrit te ndryshëm ne raport me ate te vitit 2017 kemi levizje te numrit te mandateve, shohim me vend te hetohet se mbi ç’bazë janë kryer përllogaritjet. Pra janë kryer mbi bazën e adresave te reja te shtetasve apo mbi bazën e kodit dhjetëshifror
Për t’i dhënë përgjigjë këtij shqetësimi, Komisioneri Shtetëror, Ilirjan Celibashi, në emër të institucionit i është drejtuar Gjendjes Civile me 10 pyetje me shkrim.
Më anë të këtyre kërkesave, KQZ ka si qëllim qartësimin e dyshimit nësë ndryshimet e adresave do të ndikojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Gjithashtu Gjendja Civile do t’i duhet t’i vendosë në dispozion KQZ-së listën nominale të popullsisë për çdo qark për ta krahasuar me ekstraktin e listës së zgjedhësve.
Por në veçanti do të duhet të japë të dhënat për Tiranën, Dibrën dhe Gjirokastrën për shtesat dhe pakësimet e shtetasve të regjitruar për çdo muaj nga periudha 1 shtator 2017 deri në 27 nëntor 2020.
Pavarësisht se me ndryshimin e adresave nuk do të ndryshojnë qendrat e votimit, KQZ do të dijë se ku duhet të aplikojë për të marrë një letërnjoftim të ri një shtetas me adresë banimi të ndryshme nga ajo e Gjendjes Civile.
Vota e emigrantëve do të jetë një tjetër çështje për të cilën KQZ do të përfshihet në debate.
Ende nuk dihet nëse ata do të votojnë me 25 prill, por deri më tani nga grupi i punës janë propozuar tre mundësi se si të realizohet procesi, me postë, online nëpërmjet e-Albania dhe elektronikisht në selitë diplomatike.

