8 dhjetori, Kryemadhi: T'i mbështesim jo me fjalë por me veprime, është koha e të rinjve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar me anë të një postimi në Facebook me rastin e 8 dhjetorit që shënon dhe Ditën Kombëtare të Rinisë.

Kryemadhi shkruan se është koha e të rinjve dhe se duhen mbështetur jo vetëm me fjalë por me veprime për të krijuar një të nesërme më të mirë në Shqipëri

Monika Kryemadhi: 30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane.

Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japë Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij. Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri.

Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar 'Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa', i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre.

Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi!

Është koha e tyre!

Le t'i dëgjojmë!

e.p/oranews