Eurodeputetët letër Këshillit Europian: Mos i shtyni negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë
Mbi njëzet eurodeputetë dhe raportues për çështjet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë nga Këshilli i BE-së të mos i shtyjë më negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi po dëmtohet kredibiliteti i unionit. Sipas tyre, dy vendet do i përmbushin me kohë reformat e kërkuara.
Një grup eurodeputetësh apelojnë Këshillin e Bashkimit Europian që të fillojë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të vitit.
Ekzekutivi i BE-së miratoi në tetor paketën e zgjerimit ku lajmëroheshin konferencat e para ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin, por takimi i fundit i ambasadorëve të unionit propozoi t'i shtyjë bisedimet deri në mars 2021 pasi vendet kanë ende çështje pezull për të zgjidhur.
"Ne, përfaqësuesit e grupeve politike të Parlamentit Europian, u qëndrojmë premtimeve të bëra në samitin e Selanikut të 2003-it, dhe vazhdojmë ta mbështetim të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, siç e shprehëm edhe me rezolutën e tetorit 2019. Vonesat po rrezikojnë kredibilitetin e Unionit dhe po ulin fuqinë transformuese e impaktin e BE-së në rajon."
Letra e firmosur nga mbi 20 raportues dhe koordinatorë për çështjet e Ballkanit Perëndimor, përfshijnë emra si David McAllister, kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme, raportuesen për Maqedoninë e Veriut, Tanja Fajon, dhe raportuesit për Shqipërinë, David Lega, Tomas Vaix dhe Isabel Santos.
Në apelin e tyre, zyrtarët europianë kërkojnë një kompromis qoftë edhe me ekspertizë të huaj mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për përplasjet identitare, ndërsa theksojnë se rezervat për Shqipërinë nuk duhet t'i pengojnë negociatat pasi mund të adresohen me kohë.
"Shqipëria meriton të avancojë në rrugën e anëtarësimit në BE, nisur nga përpjekjet e mëdha për reforma të viteve të fundit, sidomos në sektorin e drejtësisë, dhe për vlerësimin pozitiv që ka marrë për to nga Komisioni. Shtete të caktuara anëtare, që tani kanë dyshime për t'ia dhënë dritën jeshile konferencës ndërqeveritare, duhet të punojnë me Shqipërinë për t'i adresuar shqetësimet e tyre."
Në letrën e tyre, eurodeputetët theksojnë se ky shansi për negociatat i duhet dhënë Shqipërisë pasi transformimi dhe reformat e tjera do të vazhdojnë konkretisht gjatë negociatave me BE-në.
Shqipëria mban statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së nga qershori 2014.