Prapaskenat e merkatos/ Ja sa ofroi Moratti për ta sjellë Messin te Inter
Ish-presidenti i Barcelonës Joan Laporta, në një intervistë për mediat spanjolle, theksoi vullnetin e tij për të rikandiduar për presidencën e Blaugranave, zbuloi edhe prapaskenat e merkatos në vitin 2006 ku bëhej fjalë për Lionel Messin.
“Mund t’u them me siguri që Messi e do Barcelonën, por nuk kam folur ende me të, pasi do ta bëj diçka të tillë kur të mbarojnë zgjedhjet, nëse do të rikthehem sërish në presidencë. Ofertat për Leon nuk kanë munguar asnjë vit dhe mbaj mend që në 2006-ën Massimo Moratti erdhi në zyrën time dhe u tregua i gatshëm të paguajë 250 milionë euro për kartonin e tij, por e refuzuam”, është shprehur ai.
Laporta ka drejtuar Barcelonën në periudhën 2003-2010 dhe kohën më të artë e ka pasur gjatë kohës kur në pankinë kishte Pep Guardiolën, ndërsa këtë herë ka premtuar rikthimin e të gjithë atyre që e duan më shumë klubin katalan.
“Kemi një plan për të normalizuar situatën e vështirë ekonomike të klubit. Dua mbi të gjitha, të ribashkoj të gjithë barcelonizmin, pasi vetëm kështu mund të bëjmë diçka të mirë. Synimi kryesor është t’u rikthejmë lumturinë njerëzve që punojnë këtu dhe ky nuk është thjesht një premtim elektoral”, u shpreh Laporta.