S’ka vendim për negociatat: Konferenca e parë me Shqipërinë kur të përmbushen kushtet
Kuadri negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore nuk mundi të miratohet nga ministrat e Punëve Evropiane të BE-së. Një deklaratë zyrtare pas takimit tha vetëm se është shënuar përparim i dukshëm. Problem është vetoja bullgare ndaj Shkupit. Bullgaria kërkon përfshirjen e një kapitulli mbi zgjidhjen e çështjeve që lidhen me historinë dhe gjuhën, gjë që kundërshtohet fort nga Shkupi.
Ministrat e çështjeve Europiane të BE-së nuk arritën dot një marrëveshje për miratimin e kuadrit negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Zv./presidenti i Komisionit Evropian Maroš Šefčovič, tha se është shënuar përparim i dukshëm për të përfunduar dokumentin bazë të negociatave për të dy vendet. Debatet kryesore u përqendruan tek vetoja bullgare që bllokon miratimin e dokumentit bazë të negociatave për Maqedoninë Veriore.
Për Shqipërinë u theksua se konferenca e parë ndërqeveritare e negociatave do të thirret sapo të jenë plotësuar kushtet e vendosura në mars. Ministri gjerman për Evropës Michael Roth, tha se përpjekjet do të vazhdojnë në ditët e tjera dhe një vendim mund të merret në samitin e udhëheqësve në dhjetor.
“Duam që të organizojmë konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë kur të përmbushen kushtet dhe me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës sonë. Fatkeqësisht, ne nuk mund të gjenim kompromis lidhur me çështjen dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Momentalisht duket se nuk ka zgjidhje. Shpresojmë se mund të gjejmë një zgjidhje,” tha Roth.
Bullgaria nuk ndryshoi qëndrim lidhur me kërkesën e përfshirjes në kuadrin negociues për Maqedoninë Veriore të një kapitulli mbi zgjidhjen e çështjeve që lidhen me historinë dhe gjuhën midis dy vendeve. Shkupi zyrtar refuzon çdolloj negociate për çështje të identitetit kombëtar dhe të gjuhës.
Për Shqipërinë, sipas Komisionit Evropian, kushtet që duhet plotësuar janë bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe reflektimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për ligjin e medias, njohur si paketa anti-shpifje.