Pandemia, Basha: Qeveria pa asnjë plan, të dhënat reale fshihen

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  zhvilloi sot një takim me qytetarë që kanë fituar betejën me koronavirusin, të cilët treguan dhe vështirësitë e shumta që kanë kaluar.

Basha u shpreh se nuk ka asnjë plan dhe asnjë masë nga ana e kryeministrit për të ndihmuar njerëzit.

"Është mungesa e testimeve dhe fakti që Shqipëria është vendi me testimet më të ulëta në botë, është përgjegjësia kryesore e qeverisë. Shqetësimi kryesor që kam që me gjithë të këqijat që po ndodhin, me shumëfishimin e rasteve prapë nuk po shohim reflektim nga ana e qeverisë. Asnjë plan nga ana e kryeministrit, asnjë masë për të ndihmuar njerëzit. Shumë njerëz do ta kalojnë virusin në shtëpi, qeveria ka detyrë që mos t'i mungojnë barnat"- tha Basha.

Lideri i opozitës hodhi akuza se të dhënat nuk publikohen siç janë.

"Problemi është që  fshihen të dhënat. Dhe kur e them këtë nuk e them thjesht për të bërë një akuzë që kryeministri apo qeveria po fshehin të dhënat, është më e rëndë se kaq. Në qoftë se të dhënat nuk fshihen dhe publikohen ashtu siç janë me të vërtetë, atëherë merren masat sepse dihet që një përqindje e caktuar e atyre që janë të infektuar sot, pas një jave apo pas 10 ditësh do të kenë nevojë për trajtim spitalor. Pra në qoftë se ke 500 apo 1 mijë të infektuar sot e di që këta, pra ky numër të sëmurësh, 50, 60 apo 70 do të duhet ti trajtosh në spital dhe fillon merr masat që sot për pas 10 ditësh nuk e lë për çastin e fundit. Bëhet analiza e të dhënave dhe ndihmohen mjekët. Kurse kësaj që po bën kjo qeveri do të thotë ta lësh situatën në rënie të lirë. Prandaj testimet janë kryesore sepse testimet tregojnë me të vërtetë se sa është përhapja e infeksionit dhe në bazë të saj pastaj merr masat për trajtimin e njerëzve"- tha ndër të tjera Basha.