Covid-19 “shpërthen” në sistemin gjyqësor/ Pas asaj të Tiranës dhe Gjirokastrës, mbyllet edhe Gjykata e Sarandës
Pas Gjykatave të Shkallës së Parë në Tiranë dhe Gjirokastër, për shkak të infektimit të personelit me Covid-19 është mbyllur edhe Gjykata e Sarandës.
Në një njoftim, thuhet se dy prej punonjësve janë shfaqur me simptoma të virusit, ndërkohë që është vendosur pezullimi i punës me dy javë, duke nisur që prej ditës së nesërme.
Sakaq i është bërë tamponi të gjithë stafit, ndërkohë që për çështjet gjyqësore do të bëhet një riplanifikim i datave të përcaktuara.
Ditën e sotme, koronavirusi mbylli edhe gjykatën e Tiranës.
Të dyja dhomat, si ajo Penale dhe ajo Civile do të qëndrojnë të mbyllura deri më datën 27 nëntor.
Këtu do të përjashtohen çështjet me karakter urgjent.
"Për marrjen e masave kundër Covid – 19 dhe zbatimin e protokollit të sigurisë sipas Rregullores “ Për përcaktimin e masave për kufizimin e përhapjes së Covid – 19, gjate ushtrimit të veprimtarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, miratuar me vendimin nr 47\4 datë 24.04.2020, ‘’Mbi përcaktimin e rregullave dhe praktikave të duhura për kufizimin e përhapjes së infeksionit Covid -19, gjatë zhvillimit të veprimtarisë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë’’, si dhe në funksion të reduktimit të infeksionit" thuhet në vendimin e publikuat ne faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës
Gjykata do të mbyllet nga sot deri më 27 nëntor.
Sakaq edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka mbyllur dyert pas rezultimit pozitiv me Covid-19 të tre gjykatësve dhe dy sekretareve.
Kreu i Gjykatës ka marë vendimin e pezullimit të punës deri më 23 nëntor. Seancat e planifikuara janë shtyrë, ndërkohë që do të funksionojë vetëm puna për një gjykatës, i cili do të jetë përgjegjës për masat anticovid.