Arjana Fullani përjashtohet për 15 vite nga drejtësia: Kjo është padrejtësi
Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë Arjana Fullani ka humbur betejën me KPA. Kolegji posaçëm i apelimit ka cilësuar të drejte vendimin e KPK që e largoi atë nga sistemi për 15 vite pasi nuk iu neneshtrua vettingut. Sipas KPA në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të Vettingut Fullani ishte gjyqtare dhe duhet ti nënshtrohej këtij procesi, në të kundërt duhet të përjashtohet. Pas vendimit ish gjyqtarja reagoi e rebeluar duke thënë se do ta ndjekë këtë çështje për dinjitet.
Me këtë vendim Kolegji i Posaçëm i Apelimit përjashtoi për 15 vjet nga radhët e drejtësisë ish anëtaren e Gjykatës së Lartë Ariana Fullani e cila humb kështu statusin e magjistratit.
Vendimi me shume gjasa do të shërbejë edhe si një praktikë për kërkesa të tjera të ngjashme për ish anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët nuk iu nënshtruan Vettingut me argumentin se u kishte përfunduar mandati i gjyqtarit.
Por vendim i KPA u cilësua i padrejtë nga Fullani e cila deklaroi pas seancës se do te vijojë betejën ligjore.
“Është antiligjor dhe antikushtetues. Unë do të vazhdoj betejën ligjore.”
Fullani u shpreh se gjykatës i ishte drejtuar për dinjitet pasi sipas saj jo çdo gjë behet për para.
“Ka edhe gjyqe për dinjitet dhe ky është i tillë.”
Ish-anëtarja e gjykatës së lartë mbrohej ne seancë nga ish-kolegia e saj Evelina Qirjako e cila argumentoi te padrejtë vendimin e marrë nga KPK.
Por me gjithë argumentet e saj dhe të zonjës Fullani KPA vendosi ta refuzojë kërkesën, ndërsa tashme ish zyrtarët e drejtësisë si të vetmen rrugë ligjore kanë dorëzimin e çështjes në gjykatën e Strasburgut.