Vetëvrasjet në spitalet Covid/ Rama: Nuk i nxit qeveria, ndodhin në të gjithë botën

Vetëvrasje ndodhin edhe mes pacientë me Covid-19 në shumë shtete të Europës.

Kështu e justifikoi kryeministri Edi Rama vetësakrifikimin e 69-vjeçarit nga Fieri (viktima e pestë e vetëvrasjes mes pacientëve me Covid), i cili u vetëhodh ditën e djeshme nga një prej ballkonëve të Spitalit Infektiv në QSUT.

Edi Rama: "Pasojat e futjes së këtij armiku të padukshëm është edhe nxitja për të vrarë veten, e cila është fatkeqësisht e materializuar në shifra.

Në Itali nga marsi në gusht janë vrarë 71 persona dhe janë regjistruar një numër i lartë tentativash për vetëvrasje. Në Francë është rritur numri i vetëvrasjeve dhe vetëvrasje që lidhen me Covid-in.

Ka qenë lajm në të gjithë botën, vetëvrasja e mjekut të famshëm të klubit të futbollit të Reims kur u diagnostifikua me Covid. 4 persona në Gjermani, 4 persona në Arabinë Saudite".

Kryeministri i kujtoi politikës dhe gazetarisë rëndësinë e këtyre profesioneve në këtë periudhë pandemie.

"Qeveria e Shqipërisë i nxit vetëvrasjet nëpër botë apo këto vetëvrasje nxiten nga kushtet e ashtuquajtura të këqija nga spitalet e Shqipërisë? Se dëgjova njërin që vetëvrasjet nxiten nga zhurmat e aparaturave të oksigjenit që janë të vjetra. Për të qarë e për të qeshur

E kuptoni përgjegjësinë që është sot të bësh politikë, gazetari e të japësh informacion kur bëhet fjalë për një sëmundje që lidhet edhe me komponentin e ankthit", shtoi kryeministri Rama.

Por ndryshe nga kryeministri, nipi i Reshat Grembit, 69-vjeçarit nga Fieri që ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, tha për mediat se xhaxhai i tij nuk kishte marrë asnjë shërbim në Infektiv dhe se ishte lënë në autoambulancë për orë të tëra.

Madje, ai shtoi se as tamponi nuk i ishte bërë.