Pandemia, qeveria ende pozitive, Rama njofton paketën e re për të sëmurët me Covid
Qeveria shqiptare mendon që Shqipëria është ende larg parashikimeve dhe skenarëve pesimistë përsa i përket numrit të të infektuarve e të hospitalizuarve. Kryeministri hedh poshtë deklaratat e Bashës që spitalet janë në kaos, duke e akuzuar atë dhe Presidentin Meta si kriminelë që nxisin panik. Rama paralajmëroi që vaksina anti-Covid do të shpërndahet falas për shqiptarët, ndërsa lajmëron një paketë tjetër në ndihmë të të prekurve me COVID.
Edhe pse numri i të infektuarve me Covid 19 në vendin tonë ka pësuar rritje ditën e fundit, qeveria shqiptare kërkon të bindë të gjithë kritikët që situata është larg pritshmërive të Komitetit Teknik.
Edhe pse nuk ka një plan të qartë për menaxhimin e pandemisë, kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët u shpreh se sistemi shëndetësor nuk është në kolaps.
"Nuk bëhet dot një plan me afat se nuk e dimë afatin. Në Shqipëri rritja e numrit të të infektuarve nuk është jashtë parashikimit që kemi bërë dhe jo parashikimit më pesimist. Në strukturat Covid kemi 30% të kapaciteteve të lira akoma."
4 persona kanë humbur jetën në dy spitalet Covid, por në mungesë të një argumenti logjik, kreu i Qeverisë e konsideroi këtë një fenomen që ndodh në çdo shtet të Evropës.
"Është rritur numri i vetëvrasjeve që lidhen me Covid në gjithë botën."
Por kur flitet për rimbursimin e ilaçeve të përdorura nga qytetarët që mjekohen në banesat e tyre, Rama e shmang krahasimin me vendet perendimore.
Rimbursimi mund të vijë sipas tij në një paketë tjetër nga qeveria.
"Nuk bëj krahasime në aspektin e kapaciteteve financiare. Kemi gati edhe një paketë tjetër, e cila do të dalë shumë shpejt, qoftë për të mbështetur të sëmurët për barnat esenciale, qoftë për të mbështetur pavarësisht COVID-it, por në situatën e COVID-it, familjet në ndihmë ekonomike, sepse gjërat mund të zhvillohen në drejtime të ndryshme".
Vaksina anti-Covid do të shpërndahet falas për qytetarët shqiptarë, të paktën kështu u përgjigj Kryeministri në konferencën për shtyp.
Ministria e Shëndetësisë e pranon që qytetarët kanë hasur në vështirësi në marrjen e përgjigjes së tamponit.
30 minutat e para të konferencës Edi Rama ju vërsul Presidentit të Republikës dhe kundërshtarëve të tyre politik, duke i akuzuar si kriminelë që po përhapin panik.
"Pse nuk e ndalon Amerika zinxhirin e infeksionit me formulën e Lulzimit derdimenit dhe me psallmet e Ilir kushit, bëni testime më shumë të ndaloni infeksionet?Kjo është një lehaqenie që kur vjen nga njerëz që përfaqësojnë njerëz, të cilët janë aty për të dhënë alternativa serioze dhe të cilët janë aty për të folur me gjuhën e të vërtetës, përbën pa asnjë dyshim krim. Është kriminale të nxisësh panik me gënjeshtra, të nxisësh dëshpërim me sajesa, me fabrikime.Një çetë karagjozësh.Edhe e gjithë politika e tyre është një P me një “o” të madhe, me një “rr” të fortë dhe me një “dh” që vazhdon dhe me “ë” në fund. Kjo është politika e tyre".
Ilir Meta i është përgjigjur Edi Ramës me një dekret për marrëveshjen e qeverisë shqiptare dhe aleancës Gavi për të siguruar vaksinën anti-Covid, e cila sipas Presidentit mundëson mbulimin e gjetjes së vaksinës vetëm për 20% të popullsisë.
Prandaj Kreu i Shtetit i kërkon qeverisë që të garantojë vaksinë për të gjithë popullsinë.