E ktheu qendrën e masazhit në vatër prostitucioni, pranga pronarit që rekrutonte femra nga njoftimet në gazetë
Një 35-vjeçar u arrestua në Tiranë pasi akuzohet se në qendrën e masazhit që ai menaxhonte ka shfrytëzuar për prostitucion vajza të moshave 20 deri 30 vjeçe. I riu rekrutonte vajzat nëpërmjet njoftimeve në gazetë me pretendimin për ti punësuar si masazhatore, por më pas i detyronte tu ofronin klientëve shërbime seksuale. Policia ka proceduar në gjendje të lirë dhe 4 vajzat të cilët u kapën në ambientet e qendrës së masazhit.
Menaxheri i një qendre masazhi në Tiranë u arrestua me akuzën e shfrytëzimit të vajzave për prostitucion.
Në pranga ka rënë 35-vjeçari, Fatjon Hyka, i cili akuzohet se rekrutonte vajza nëpërmjet njoftimeve në gazetë me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale.
35-vjeçari është arrestuar në flagrancë, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë edhe 4 vajza të punësuara në këtë qendër.
Qendra e masazhit në të cilën kryhej aktiviteti i paligjshëm ndodhet në afërsi të gjimnazit "Petro Nini", pranë sheshit "Willson".
Vajzat që janë përdorur për prostitucion janë nga mosha 20 deri në 30 vjeçe, ndërsa klientët që kanë marrë shërbime seksuale në këtë qendër janë kryesisht të huaj.
Shumat të cilët klientët paguanin në këtë qendër për shërbime seksuale, varionin nga 5 mijë deri në 30 mijë lekë.
Burime nga policia bëjnë me dije se hetimet në lidhje me këtë aktivitet të paligjshëm për shfrytëzim prostitucioni kanë filluar prej disa muajsh për tu finalizuar me arrestimin e menaxherit Hyka.
Blutë e Tiranës, thonë se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
Biznese të tilla të qendrave të masazhit janë kthyer në një vatër të nxehtë të shfrytëzimit të prostitucionit në kryeqytet, ku herë pas here kryhen operacione për ndalimin e personave që shfrytëzojnë qendrat e masazhit për shërbime ekstra.
Pak kohë më parë po në kryeqytet, u finalizuan dy operacione në dy zona të ndryshme të Tiranës ku në pranga u vunë menaxherë të qendrave, të cilët kishin punësuar vajza me qëllim ushtrimin e profesionit të masazhit, të cilat gjithashtu detyroheshin më pas për të ofruar shërbime ekstra.