U ekzekutua më 17 shtator, identifikohet një prej vrasësve të Bujar Çelës në Elbasan

Nuredin Dumani një emër i njohur për drejtësinë është shpallur në kërkim për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës në muajin e kaluar. 34-vjeçari dyshohet se është ekzekutori kryesor, ndaj gjykata ka dhënë masën arrest me burg në mungesë. Blutë shprehen se po punojnë intensivisht për kapjen e tij si dhe për identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë.

Elbasan- Tri javë pas vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në një bar-kafe në Bradashesh, prokuroria ka shpallur në kërkim një person, i cili dyshohet të ketë patur rolin e ekzekutorit.

I dyshuari është Nuredin Dumani, rreth 35 vjeç.

Hetuesit pretendojnë se implikimi i tij në këtë ngjarje është vërtetuar me prova shkencore.

Burime nga policia thonë për Ora News se, Dumani është identifikuar nga kamerat e sigurisë, ndërsa po punohet dhe për identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tjerë.

Vrasja e 62 vjecarit Bujar Çela dyshohet se ishte mesazh hakmarrje për vëllanë i shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale, mes të cilave vrasja e dy vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës.

Kjo u faktua nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili është shprehur se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Vëllezërit Haxhia, gjithmonë sipas dëshmisë së Klevis Allës, kanë deklaruar se paratë i kanë humbur në muajin janar të këtij viti kur servisi i tyre ra pre e vjedhjes, ku i morën edhe materiale dhe nuk kishin asnjë mundësi për t’i kthyer pas.

Dumani është shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020.

Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa tani ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.

Rrjeti i prostitucionit
Dumani për drejtësinë shqiptare ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë.

Sipas hetimeve, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka provuar qelinë edhe për akuzën e vjedhjes.

Për zbardhjen e ngjarjes hetuesit e kanë lidhur me një serë krimesh të ndodhura në Elbasan 2 vitet e fundit. Sipas provave të mbledhura deri në këtë fazë të hetimeve dyshohet se vrasja është kryer me porosi të Erion Alibejt, i arrestuar më 18 shtator, me akuzën se ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Bujar Çela Vëllai i të shumëkërkuarit Talo Çela u ekzekutua mëngjesin e 17 shtatorit teksa pinte kafe në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Ai dyshohet se u vra si mesazh hakmarrjeje për vëllain e tij, Talo Çelën, pasi vetë 62 vjeçari nuk kishte precedent penal ndërsa familjarët e fqinjët u shprehën se nuk kishte konflikt me asnjë person.