Siri, forcat qeveritare vrasin 3 shtetas të huaj

Televizioni shtetëror sirian raportoi të enjten se forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad kanë vrarë 3 shtetas të huaj, përfshi një grua amerikane dhe një qytetar britanik, të cilët, sipas televizionit, ishin duke luftuar me përkrah rebelëve dhe u gjetën me armë.Televizioni sirian ka identifikuar gruan, duke publikuar imazhet e patentës dhe pasaportës së saj, një amerikane nga Michigani. Televizioni publikoi gjithashtu emrin dhe pasaportën e qytetarit britanik. Por, emri i personit të tretë nuk u identifikua, edhe pse thuhet se është përsëri njështetas i huaj.Raporti thotë se të tre viktimave iu ngrit pritë teksa ishin duke udhëtuar me makinën e tyre, në provincën e trazuar të Idlib-it, në veri-perëndim të Sirisë, ku forcat qeveritare janë duke luftuar me rebelët për të marrë kontrollin.Pamjet televizive treguan një makinë të bërë “shoshë” nga plumbat dhe 3 trupat e shtrirë jashtë saj. Aty shfaqeshin edhe armë, një kompjuter, një hartë e vizatuar me dorë për një objekt ushtarak qeveritar dhe një flamur, që i përkiste Frontit al-Nusra, të lidhur me al-Qaeda-n.Një zyrtar i DASH-it është shprehur për CNN se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni të vrasjes së amerikanes dhe po punohet me një mision çek në Siri, për të siguruar më shumë informacione.