Mjeku shqiptar në Itali Alban Beltoja: Asnjë pacient me Covid i vetëvrarë në Lombardi, komunikimi me familjen, i rregullt!

Mjeku shqiptar Alban Beltoja punon në zonën e Lodit në Itali, në një nga krahinat më të prekura nga koronavirusi në botë, dhe krahinë e cila shokoi botën për numrin e lartë të të vdekurve atje.

Beltoja në një intervistë ekskluzive për Dritare.net, ka folur për stresin e stafit mjekësor, për pacientët covid, për mënyrën e funksionimit të reparteve atje, dhe ndërsa sqaron se në spitalin ku ai punon aktualisht nuk ndodhet asnjë pacient me koronavirus dhe ai nuk është më spital Covid.

"70-80 shtrime në ditë, dhe numri i madh i të infektuarve ishte motivi i parë i stresit.

Motivi tjetër ishte gjendje e rënduar klinike e shumë pacientëve, ne kemi pasur fatin e keq që të shikonim pacientët klinikë më të rëndë, disa nga faktin se nuk e dinim me çfarë sëmundje kishim të bënim, dhe nga ana tjetër të sëmurit nuk vinin në spital menjëherë, pasi nuk i dinin simptiomat, dhe kur vinin ishin të rënduar.

Numri i atyre që kanë vdekur ka qenë shumë i madh, dhe kjo gjë padyshim që e shtronte stresin. Nga ana tjetër ne punonim më shumë, sepse na u sëmurën kolegët, më shumë të sëmurë, më pak mjekë, edhe ne ishim njerëz stresoheshim, mërziteshim për kolegët tanë.

Nga ana tjetër, fakti që ne e shikonim vuajtjen që shkaktonte kjo sëmundje, ishte një stres në vete."-ka thënë Beltoja.

Duke komentuar dy vetëvrasjet në vendin tonë brenda një muaji të pacientëve me koronavirus, Beltoja ka thënë se në Lombardi nuk ka pasur asnjë rast të vetëvrasjes së pacientëve, ndërsa ka shtuar se pacientët me koronavirus kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e tyre.

"Raste të vetëvrasjeve nuk ka pasur në spitalin ku unë punoj. Unë di, dy ose tre raste në Lombardi, nga stafi mjekësorë , infermierë, që janë vetëvrarë nga stresi.

Dhe stresi ishte i lidhur me faktin se këta mendonin se ishin shkak që po përhapnin koronavirusin, mendonin se këta vetë po infektonin familjarë, mjekë, dhe njerëz të tjerë.

Ajo qe na shpëtoi ishte krijimi i një skuadre të fortë. Të gjithë mjekët, nga të gjitha repartet ishim bashkë, u vumë në dispozicion të punës, ku ngecte njëri, e merrte tjetri sa mundej. Nuk kishte orare, nuk kishte, u lodha ose nuk mundem më .

Sa i përket vetëvrasjeve, ato duhen parë me seriozitet,pse kanë ndodhur, pse këta të sëmurë arritën që ta bënin këtë gjest, a kanë qenë më parë të sëmurë nga ana mendore, dhe këtë duhet ta zbulojnë kartelat mjekësore dhe vetë mjekët."-ka thënë mjeku Beltoja.

"Sa i përket stresit, në spitalin tonë, u vu në dispozicion një linjë e veçantë psikologësh, që kushdo që kishte nevojë, i sëmurë, apo familjarë të kontaktonte menjëherë dhe shkonte ekipi i psikologëve.

Sa i përket komunikimit mes të infektuarve që ishin shtruar dhe familjarëve. Të sëmurit kanë pasur një komunikim të vazhdueshëm, ata të gjithë kanë pasur telefona celularë me vete, përveç rasteve që ishin të intubuar, dhe nuk e përdornin dot. Familjarët kishin një orar të caktuar për konsulta me mjekët, dhe të njiheshin me gjendjen e të afërmeve të tyre.

Ka pasur një repart që ishte me të shtruarit, dhe ka pasur një korridor ku familjarët kalonin dhe i shihnin ata në dhoma nga dritarja, dhe komunikonin me ta me celular ose me shenja."-ka shtuar mjeku.

Mjeku shqiptar në Itali Alban Beltoja: Asnjë pacient me Covid i

Mjeku flet edhe për ata që nxisin dhe prodhojnë teori konspirative, që janë një stres në vete sipas tij.

"Veç stresit të sëmundjes, numrave, viktimave, ka edhe një stres tjetër, ai është stresi mediatik, në të ashtuquajtura Fake news. Këto person po bëjnë zhurmë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali e në botë.

Janë disa pseudo-shkencëtarë, pseudo mjekë, pseudo gjithollogë, që nuk lënë rast pa hedhur baltë mbi mjekët e infermierët. Kjo është e dhimbshme që këto deklarata gjejnë terren edhe ne media.

Ka edhe deklarata të papërgjegjshme të mjekëve, që nuk kanë pasur të bëjnë me këtë sëmundje. nëse ata kishin të bënin me këtë sëmundje, ata nuk do të kishin kohë për intervista, aludime dhe hipoteza çdo ditë."-tha mjeku Beltoja.

Sa i përket frikës që virusi të rikthehet në një valë tjetër të fortë, mjeku shqiptar në Itali, shprehet se një valë aq e fortë nuk ka mundësi që të ndodhë më.

"Nuk është se kemi frikë për kthimin e një infektimi masiv, pasi zona jonë ishte ndër më të prekurat, duke qenë kështu një pjesë e mirë e popullsisë ka kaluar virusin dhe ka krijuar imunitet. Gjithsesi një valë si e para, nuk besoj se ka për të ardhur më.

Me kthimin e njerëzve nga pushimet, pritet që numri i rasteve të rritet. Dhe në këtë valë ata që sëmuren më shumë nuk janë më moshat e mëdha, janë pikërisht të rinjtë."-tha ai.

Mjeku ka thënë se në Shqipëri duhet të zbatohen me rigorozitet masat e vendosura, duhet mbajtur maska, distanca, higjiena dhe të shmangen grumbullimet.

"Virusi nuk duhet lënë të qarkullojë lirshëm, sepse përhapja e ti jashtë jashtëzakonisht e madhe. Duhet të mbahet maska, distanca dhe higjiena, janë këshillat e vetme të vlefshme në këto momente, gjithashtu duhe shmangur tubimet masive.

Askush nuk vdes nga maska, nuk vijnë dhimbje nga maska, nuk ulet imuniteti nga maska, dhe maskën duhet ta mbajnë kryesisht ata që janë pozitivë, dhe nëse ata e mbajnë, mundësia e transmetimit bie shumë ndjeshëm."-ka thënë mjeku Alban Beltoja për Dritare.net