Vejsiu: Ministria e Arsimit të ishte pjesë e udhëzimit, në shkollat publike e vështirë ndarja e klasave
Viti i ri shkollor do të fillojë më datë 14 shtator dhe njohësi i çështjeve të arsimit Fatmir Vejsiu, e mirëpret këtë vendim.
I ftuar në ‘’Ora News’’, Vejsiu tha se mësimi në klasëështë i domosdoshëm dhe efektiv, ndërsa shprehu rezervat e tij për mësiminonline.
Fatmir Vejsiu: ‘’Jemi para një fakti të ligjëruar tashmë që shkolla fillon më datë 14 shtator. Kjo është më e thjeshta, që të përcaktosh datën e fillimit të shkollës. Ky vit është i ndryshëm sepse duhet t’i përshtatemi kushteve të vështira në të cilën ndodhemi. Jam për fillimin e shkollës parimisht. Bëj krahasimin midis mësimit online dhe mësimit në klasa. Janë të pakrahasueshme. Mësimi në klasë është efektiv, ndërsa online nuk është cilësia e mësimit ashtu si në klasë. Mësimi në klasë është i domosdoshëm.''
Referuar udhëzimit të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë, Vejsiu shprehet se ka një moskoordim midis ministrive, dhe se pjesë e saj duhej të ishte dhe Minstria e Arsimit.
Fatmir Vjesiu: ‘’Pashë udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ka një mos koordinim midis ministrive. Për mua duhet të ishte udhëzim i përbashkët i tre ministrive. Ministria e Shëndetësisë ka kryefjalë distancimin dhe dezinfektimit. Por, Ministria e Arsimit duhet të ishte pjesë e udhëzimit. Ajo i di kapacitetet e mësuesve që ka në dispozicion, sa orë mësimi në ditë mund të bëjë një mësues.''
Sipas tij, në shkollat publike është e vështirë ndarjae klasave me nga 15 nxënës.
Gjithashtu, e vështirë do jetë edhe për mësuesit përta përballuar, ndaj dhe beson se nuk do të ketë cilësi në mësimdhënie.
Fatmir Vejsiu: ''Udhëzimi thotë që nëse klasa ka më shumë se 15 veta ndahet në dy. Shkollat publike janë minimumi me 30 nxënës. Do krijosh dy klasa, po t’i ndash klasat nga dy, duhet të kesh dyfishin e mësuesve. Është vështirë të gjesh mësues të mirë. Ministria e Shëndetësisë nuk e di këtë situatë, por e di Ministria e Arsimit. Jam edhe kundra bërjes së mësimit në më pak se 45 minuta. Një program i caktuar është parashikuar për tu bërë në kaq kohë. Nëse themi se mësimi do zhvillohet 30 minuta, atëherë nuk kemi bërë asgjë. Mësuesit do i duhet kohë për ta shpjeguar mësimin në dy klasa, do jetë e vështirë për të fizikisht. Është e pamundur të kemi cilësi mësimdhënie. Zgjidhja është e vështirë.’’
Intervistoi në studio Leftion Peristeri, përgatiti përonline Renato Çaushi.