Zjarr i fuqishëm pranë një xhamie në Shkodër

Shpërthimi i një bombole gazi për pak u kthye në tragjedi në qytetin e Shkodres, por që fatmirësisht u mbyll vetëm me dëme materiale dhe pa pasoja në jetë njerëzish.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 12.40 minuta në lagjen “Dërgut” pranë shkollës “Xheladin Fishta”.

Ishin banorët e zonës që pasi dëgjuan zhurmën e shpërthimit, njoftuan shërbimin zjarrfikës, ndërsa zona u mbulua e gjitha prej reve të tymit. Operacioni për shuarjen e flakëve ishte i vështirë për efektivët zjarrfikës, pasi shtëpia ndodhej në brendësi të një rrugice që nuk lejonte hyrjen e automjetit.

U deshen minuta të tëra që efektivët të neutralizonin flakët duke mos rrezikuar banesat e tjera. Sipas dëshmive ngjarja ka ndodhur pak minuta pasi kryefamiljarja kishte mbushur bombulën 5 litërshe të gazit dhe e kishte vendosur atë në garazhin e shtëpisë në katin e parë. Nuk ka vonuar dhe disa minuta më pas është dëgjuar shpërthimi, duke bërë që e zonja e shtëpisë të vrapojë jashtë duke kërkuar ndihmë. Si pasojë e zjarrit të shkaktuar nga ky shpërthim brenda në garazh është djegur edhe një automjet në pronësi të familjes. Grupi hetimor nisi punën për të zbardhur të plotë këtë ngjarje që fatmirësisht u mbyll vetëm me deme materiale.