PD: Drejtori i sigurisë në Policinë e Shtetit ish-sigurims, u konfirmua në detyrë në shkelje të ligjit

Partia Demokratike akuzon Drejtorin e Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka, i cili kaloi sot vettingun, se ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit në vitin 1991.

Përmes një postimi në Facebook, ish-deputeti Klevis Balliu, shkruan se Gjovalin Loka u konfirmua në detyrë në shkelje të ligjit.

Sipas tij, bashkëpunëtorët dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit ndalohen të shërbejnë në radhët e Policisë.

Postimi i Balliut në Facebook

Sot Policia e Shtetit është njohur zyrtarisht si institucioni që drejtohet nga ish spiunet e Sigurimit të Shtetit, strukturës më shkatërruese për jetën dhe dinjitetin e njeriut gjatë regjimit komunist. Vetingu në polici konfirmoi në krye të policisë numrin 2 të saj, Gjovalin Loka, njëkohësisht përgjegjës për sigurinë publike.

Ish Sigurimsi i Shtetit, u konfirmua në detyrë nga Vetingu partiak në Polici, pavarësisht se ai e kishte fshehur detyrën e operativit të Sigurinit dhe pavarësisht se ligji e ndalon kategorisht një sigurims të jetë pjesë e Policisë së Shtetit. Neni 38/g i ligjit për Vetingun në Polici shprehet se “bashkëpunëtorët dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit ndalohen të shërbejnë në radhët e Policisë”.

Komisioni, që mori vendimin e paligjshëm nuk e ka tagrin të vlerësojë, nëse Gjovalin Loka ka qenë sigurims i mirë apo i keq.
Të gjithë janë anëtarë të së njëjtës bandë, që vazhdojnë të përdorin metodat e Sigurimit të Shtetit, raprezaljet kundër opozitës dhe kritikëve të qeverisë për të mbajtur në këmbë një pushtet të kalbur dhe të dëmshëm për qytetarët.

Lexo edhe: Konfirmohet në detyrë Drejtori i sigurisë në Policinë e Shtetit, Gjovalin Gjoka