Xhafaj: 23 qershori rrotacion historic, ka të bëjë me fatet e vendit

Fushata elektorale e Partisë Socialiste po vijon derë më derë në çdo shtëpi, çdo rrugicë dhe çdo lagje të Tiranës. Deputeti Fatmir Xhafaj, i shoqëruar edhe nga kandidatë të tjerë të PS për Tiranën, Ervin Bushati, Sadi Vorpsi dhe Blendi Nallbani ka zhvilluar takime derë me derë në rrugët “Ferit Xhajko” dhe “Memo Meto”, të cilat ndodhen në territorin e Njësisë Bashkiake Nr.8 në kryeqytet.Gjatë këtyre takimeve kandidatët socialistë kanë kërkuar votën e banorëve të kësaj zone, të njohur si zonë e djathtë në kryeqytet, për rimëkëmbjen e ekonomisë, rritjen e punësimit, reformimin e shëndetësisë dhe arsimit. Sipas Xhafajt me votën për PS në 23 qershor demokratët e vërtetë do t’i japin mundësi edhe vetë PD-së të rilindë në opozitë.“Jo thjesht do rilindim vendin, jo thjesht do rilindim ekonominë, por do rilindim dhe vetë PD-në, se do ta shpëtojmë këtë parti nga ai që e ka futur në repart ushtarak. Kështu do ta rinovojmë edhe PD-në, që të jetë një opozitë konstruktive në këtë vend. Kjo është shumë e rëndësishme”, është shprehur Fatmir Xhafaj.Deputeti socialist duke ju referuar situatës së kolapsit të përgjithshëm në të cilin e ka futur vendin qeverisja e PD-së ka theksuar se ndryshimi politik që do të ndodhë pas 23 qershorit mund të konsiderohet si një rotacion historik.“Nuk mund ta quash një rotacion të zakonshëm, normal. Ky është një rotacion historik, sepse ka të bëjë me fatet e vendit, me fatet e Shqipërisë. Përfytyroje sot dhe është në një kolaps të tërë ekonomik, social. Shteti është i gjithi i kapur nga një grusht njerëzish dhe nga një njeri i vetëm. Nuk bëhet fjalë për demokraci funksionale, nuk bëhet fjalë për shtet të së drejtës, por bëhet fjalë për sundim të një individi dhe një pakice. Jemi 20 vjet mbrapa dhe ky vend është akoma në pikën e nisjes në shumë gjëra”, ka thënë Xhafaj.Ndërkohë kanë qenë të shumtë banorët që janë shprehur se këtë herë vota do të shkojë te numri 29, numri i Partisë Socialiste në fletën e votimit pasi ndihen të zhgënjyer nga forca politike të cilës i kanë dhënë votën për shumë vite me radhë.